Raporti i PE-së, Sveçla: Ndajmë shqetësimet e përbashkëta për situatën sfiduese në veri

Pas miratimit të raportit për Kosovën nga Parlamenti Evropian, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ndajnë shqetësimet e përbashkëta lidhur me situatën sfiduese në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se raporti rithekson bandat kriminale në krye me Milan Radoiqic dhe Zvonko Veselinovic, në lidhje të ngushta me Partinë Progresive të Serbisë, që paraqesin kërcënim serioz për qytetarët.

“Ndajmë shqetësimet e përbashkëta lidhur me situatën sfiduese në pjesën veriore të Kosovës, ku raporti rithekson se bandat kriminale në krye me Milan Radoiqic dhe Zvonko Veselinovic, në lidhje të ngushta me Partinë Progresive të Serbisë, paraqesin kërcënim serioz për qytetarët. Ky fakt theksohet edhe në raportin e Serbisë, specifikisht për lidhjet e tyre me grupet kriminale që veprojnë në veri të vendit tonë”, ka shkruar ministri i Brendshëm në Facebook.

Ai ka thënë se MPB dhe agjencitë vartëse të saj do të vazhdojnë të jenë plotësisht të angazhuara për luftimin e elementeve kriminale si dhe të garantojnë sigurinë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Do të zbatohen masa për adresimin e shpejtë dhe efektiv të kësaj çështje, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë mbetet një çështje urgjente dhe ritheksojmë vullnetin tonë të fortë politik për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe pa dallim. Ashtu siç thekson edhe raporti, shpresojmë që edhe sistemi i drejtësisë të ndërmarrë veprimet e nevojshme në rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të tyre që garantojnë rritje të efikasitetit dhe realizim të vullnetit tonë të përbashkët”, ka shkruar ai.

Sveçla ka thënë se sugjerimet do të shërbejnë si udhëzues i vlefshëm për sundim të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe niveleve të larta të korrupsionit.

“Vlerësimet pozitive dhe sugjerimet konstruktive të ofruara në raport, do të shërbejnë si një udhëzues i vlefshëm për rritjen e mëtejme të demokracisë, sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe niveleve të larta të korrupsionit si dhe krijimin e një administrate të bazuar në meritokraci”, ka thënë ai.

Back to top button