Raporti i progresit për Kosovën, konstatohet progres i kufizuar e stagnim

Bashkimi Evropian në raportin vjetor të progresit për Kosovën ka konstatuar se rruga evropiane e Kosovës në muajt e fundit është ngadalësuar për shkak të siç thuhet ngërçit politik dhe përçarjes së skenës politike.
“Pavarësisht angazhimit të qeverisë dhe mbështetjes publike për rrugën evropiane të Kosovës, të shoqëruar nga komunikimi pozitiv mbi procesin e integrimit në BE, politika e brendshme përçarëse vazhdoi të pengonte zbatimin e Agjendës së BE-së. Progresi gjithashtu ngeci për shkak të joefikasitetit të Kuvendit dhe bllokimit politik pas zgjedhjeve të përgjithshme. Institucionet përgjegjëse për procesin e integrimit në BE mbeten gjerësisht në vend”
Sa u përket masave të vendosura nga BE-ja për Kosovën, në raport është thënë se ka nisur heqja graduale e tyre por që e heqja e mëtejme varet nga depërshkallëzimi në veri.
“Hapat e mëtejmë mbeten të kushtëzuar nga një ulje e qëndrueshme e tensioneve në veri. Komisioni synon t’i heqë më tej këto masa me kushtin që të arrihet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe nëse ulja e tensioneve është e qëndrueshme”.
Lidhur me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporti thotë se të gjitha marrëveshjet nga dialogu duhet të zbatohen nga të dy palët.
“Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, në përputhje me riangazhimin zyrtar të bërë përkatësisht në shtator dhe tetor 2024. Kjo përfshin krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (A/KSHM). Kosova duhet të fillojë procesin që çon në krijimin e tij, ndërsa Serbia duhet të fillojë përmbushjen e detyrimeve të saj nga Marrëveshja paralelisht duke filluar njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.
Në Raportin e Progresit për vitin 2025 për Kosovën në shumicën e kapitujve flitet për një “progres të kufizuar”, për “njëfarë progresi”, ndërsa në disa raste edhe konstatohet se “nuk ka pasur progres“. Në luftën kundër korrupsionit sipas raportit Kosova ka bërë përparim të kufizuar derisa në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar thuhet se Kosova ka bërë disa përparime.
“Kosova është midis një faze të hershme përgatitjeje dhe një niveli të caktuar përgatitjeje në luftimin e korrupsionit dhe ka bërë përparim të kufizuar. Kosova ka bërë përparim të mëtejshëm në gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, gjë që rezultoi në një numër më të lartë vendimesh dhe dënimesh gjyqësore përfundimtare, ndërsa numri i përgjithshëm i hetimeve dhe dënimeve përfundimtare në rastet e korrupsionit jo të nivelit të lartë është ulur. Kosova është midis një faze të hershme përgatitjeje dhe ka një nivel të caktuar përgatitjeje në luftën kundër krimit të organizuar dhe ka bërë disa përparime në këtë fushë, veçanërisht duke lansuar Rrjetin e Përbashkët të Inteligjencës për Pastrimin e Parave të Kosovës dhe duke miratuar një Vlerësim të ri të Krimit të Organizuar dhe të Rëndë”.
Me përparim të kufizuar Kosova është vlerësuar edhe në reformën e administratës publike po ashtu edhe në fushën e Gjyqësorit, drejtësisë e të sigurisë.
Derisa Kosova nuk ka shënuar asnjë përparim sa i përket fushës se lirisë se shprehjes dhe medias.
“Kosova ka një nivel të caktuar përgatitjeje dhe nuk ka bërë asnjë përparim. Gjykata Kushtetuese anuloi Ligjin për Komisionin e Pavarur të Medias (KPM), duke u dhënë autoriteteve udhëzime të qarta për të siguruar hartimin e shpejtë të një ligji të ri. Ndërsa peizazhi mediatik është pluralist, ai përballet me sfida që lidhen me transparencën në pronësinë e medias dhe qëndrueshmërinë financiare. Mjedisi në veri të Kosovës mbetet kufizues, duke nxitur vetëcensurën midis publikut, medias dhe shoqërisë civile”.
Sa i përket Planit të Rritjes së BE-së në raport thuhet se Kosova mund të përfitojë vetëm pasi të miratohen në Kuvend marrëveshjet që mundësojnë alokimin e këtyre mjeteve. Në raport tutje thuhet së Kosova ka bërë disa përparime në zhvillimin e një ekonomie e tregu funksional, është vlerësuar pozitivisht sa i përket organizmit të zgjedhjeve të 9 shkurtit si dhe qasjes së saj të dënueshme ndaj agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe zbatimin e masave kufizuese kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.