Raportohet për disa viktima pasi një autobus turistik u aksidentua në shtetin e New Yorkut

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të premten në Genesee County, New York, ku një autobus turistik që po udhëtonte nga Niagara Falls drejt New Yorkut është përmbysur, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Zëdhënësi i policisë, James O’Callaghan, konfirmoi për “Fox News Digital” se të paktën tre persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa disa të tjerë janë ende të zhdukur. Disa pasagjerë janë hedhur jashtë autobusit nga përplasja, ndërsa të tjerë dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën mjet.
Qendra Mjekësore e Qarkut Erie ka konfirmuar se të paktën 16 persona janë transportuar për trajtim.
Dëshmitarë okularë thanë se autobusi humbi kontrollin, kaloi në korsinë tjetër dhe u përmbys në anë të rrugës. Autoritetet kanë kërkuar ndihmë shtesë mjekësore dhe janë duke punuar për shpëtimin e pasagjerëve të mbetur.
Shkaku i aksidentit ende nuk është bërë i ditur, ndërsa policia ka konfirmuar se të gjitha korsitë e autostradës janë mbyllur.