Rashica: Ka ardhur koha që Kosova ta regjistrojë fitoren e parë kundër Greqisë

Para ndeshjes së nesërme kundër Greqisë, Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar konferencën e saj për media, ku prezent ishte edhe ylli, Milot Rashica, i cili foli rreth rëndësisë që ka kjo ndeshje dhe pritjet e tij, si dhe tha që tani ka ardhur momenti që Kosova ta regjistrojë fitoren e parë kundër Greqisë.
Fillimisht, Rashica tha se çdo gjë mund të përcaktohet nga ndeshja e nesërme, pasi që është tejet me rëndësi si për Kosovën ashtu edhe për Greqinë.
“Siç e dimë është ndeshja e fundit e këtij grumbullimi dhe gjithçka mund të përcaktohet pas kësaj ndeshje, një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy ekipet. Ne jemi të përgatitur dhe kemi me jep maksimumin për ta fituar këtë ndeshje”, tha Rashica.
Më tej, ylli i Norwich Cityt tregoi që skuadra pret që ndeshja e nesërme të jetë shumë e vështirë, dhe se lojtarët duhet të tregojnë paraqitje më të mirë se ajo në fitoren kundër Irlandës së Veriut, në mënyrë që ta fitojnë ndeshjen.
“Presim me qenë një ndeshje shumë e vështirë edhe është një kundërshtarë krejt tjetër prej ndeshjes së kaluar, por besoj që me motivimin dhe gjërat e mira që i këna bo ndeshjen e kaluar me i përdor edhe me i shfrytëzu nesër. Kemi luajt para disa ditësh me ta dhe e dimë pak a shumë mënyrën se qysh kanë luajt ata por edhe qysh kemi luajt ne, por nesër duhemi me bo shumë ma mirë se ndeshjen e fundit edhe ta fitojmë ndeshjen”, tha Rashica.
Në pesë ndeshjet e zhvilluara kokë më kokë me Greqinë, Kosova deri tani ka regjistruar tre barazime dhe dy humbje, ndërsa Rashica tha qe tani ka ardhur koha që Kosova ta evitojë humbjen e tretë dhe ta shënojë fitoren e parë kundër grekëve.
“Besoj që ka ardhur koha për ta bërë fitoren e parë”, tha Rashica.
Nesër me fillim nga ora 20:45 Kosova luan ndeshjen e katërt dhe të fundit të muajit qershor në Ligën e Kombeve, ku është mysafire e Kombëtares së Greqisë.

Back to top button