Rashiq për 24 hektarët e Manastirit të Deçanit: Kurti më tha do ta bëj për shkakun tënd

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka folur lidhur me marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Ai këto deklarata i ka bërë për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdevcin
Në qarqet politike, si dhe në publikun e gjerë, shpesh spekulohet se sa ndikim ka në të vërtetë Nenad Rashiq brenda kabinetit të Albin Kurtit. Kritikët shpesh e quajnë atë “të bindur”, ndërsa ai vetë pohon se marrëdhënia e tij me kryeministrin bazohet në një luftë institucionale, e cila ndonjëherë rezulton në mosmarrëveshje dhe ndonjëherë në vendime historike, transmeton Kossev
Rashiq ka deklaruar se ka pasur situata kur kanë pasur kundërshtime, por shpjegoi se si Kurti e kishte bërë, siç tha, për shkak të tij, transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.
Në vitin 2024, Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që t’ia transferonte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, duke thënë se kjo do të ishte vendimtare për anëtarësimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, gjë që më pas nuk ndodhi.
“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq.
Sipas tij se, edhe pse kjo ishte një detyrim i vjetër gjyqësor që askush më parë s’e kishte zbatuar, fakti që këtë e bëri Albin Kurti me nxitjen e tij ka peshë të veçantë: “Ishte një gjë e madhe që nuk është e natyrës materiale, por diçka shumë më e rëndësishme. Mendoj se kjo duhet vlerësuar”, deklaroi ai.