Rashiq për moscertifikimin e Listës Serbe: Veprim jo i duhur, i jep material për viktimizim

Deputeti nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq e ka cilësuar si jo të duhur vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit duke thënë se i njëjti i ndihmon asaj që të viktimizohet para serbëve në Kosovë dhe tek ndërkombëtarët.
Rashiq tha për RTV21 se me veprimin e djeshëm KQZ-ja popullarizon Listën Serbe dhe se një metodë e tillë nuk është në përputhje me frymën e sistemit demokratik që duhet të ekzistojë në Kosovë
“Duhet të kuptohet se KQZ në atë përbërje është nominuar nga radhët e partive politike kështu që më shumë ka peshë politike sesa juridike. Si politikan jam dhe kam qenë kundërshtar i Listës Serbe dhe me gjithë qejf kisha dashur që t’i fitoj ata, por kjo është një mënyrë që përfiton, prolongon dhe i jep Listës Serbe një popullaritet më të madh se kinse janë të penguar, kinse të bllokuar, kinse dikush iu bën diskriminime”, tha Rashiq për RTV21.
Rashiq u shpreh se dihet që organet e KQZ-së prapë do të marrin vendim për pjesëmarrjen e Listës Serbe, teksa shtoi se ‘vendime si ai dje’ i ndihmojnë kësaj partie ‘të dramatizojë me qëllim’.
“Nuk kisha vepruar në këtë mënyrë, kur Lista Serbe përfiton kur i japin material ku mund të flasin në media, ta dramatizojnë me qëllim dhe në fund të fundit vendimi, sipas meje dhe organeve që vijnë nga KQZ, do të mundësohet pjesëmarrja e tyre”, u shpreh ai.
Gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mbajtur ditën e djeshme, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan.
Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
PZAP-i e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit. /21Media