Rasti i dy të dyshuarve për spinuazh: Plenkoviq takohet me shefin e inteligjencës ushtarake

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, tha se është takuar me shefin e inteligjencës ushtarake kroate, me të cilin ka biseduar për rastin e dy personave që u arrestuan për spiunazh për Serbinë.
Muajin që shkoi, një pilot i ushtrisë kroate dhe e dashura e tij serbe – nga Mitrovica e Veriut – u arrestuan nga autoritetet kroate, nën dyshimin se të njëjtit i kanë dhënë informacione konfidenciale Listës Serbe.
Përmes një njoftimi në X, Pllenkoviq tha se autoritetet kroate po ndërmarrin të gjtiha veprimet e nevojshme për të mbrojtur interesat e shtetit dhe sigurinë kombëtare.
“U takova me drejtorin e Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake, gjeneralmajorin Ivan Turkal, lidhur me hetimin që po kryhet kundër një oficeri të Forcave të Armatosura kroate dhe një personi tjetër nën dyshimet se kanë kryer veprën penale të spiunazhit. Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës Ushtarake, Zyra e Prokurorit të Shtetit të Kroacisë dhe institucione të tjera kompetente po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur interesat e shtetit dhe sigurinë kombëtare”, ka shkruar Plenkoviq.
Të arrestuarit janë lënë në paraburgim pas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Split, ku piloti kroat derisa ka shërbyer edhe në KFOR, dyshohet se i ka dhënë informacione mbi lëvizjet e trupave të KFOR-it të dashurës së tij serbe, e cila më pas ia ka dhënë ato Listës Serbe.
Dyshohet se nga viti 2022 deri në vitin 2025, piloti ushtarak i dha partneres së tij informacion konfidencial në lidhje me lëvizjen e serbëve në veri të Kosovës, trupat e KFOR-it dhe situatën në Zubin Potok.
Kosova është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet kroate lidhur me këtë rast.