Kaloni te përmbajtja kryesore

Rasti i rëndë në Ferizaj, gjinekologia jep detaje për RTV21: Foshnja kishte shenja të ngulfatjes

(Lajm i përditësuar)

Rasti i rëndë në Ferizaj, gjinekologia jep detaje për RTV21: Foshnja kishte shenja të ngulfatjes

Ud. e drejtorit në Spitalin e Ferizajt Minire Alilaj-Beqiraj ka dhënë detaje për RTV21 lidhur me rastin tragjik të foshnjës që ndërroi jetë pas lindjes në Emergjencën e Ferizajt.

Ajo tha se pacientja me inicialet F.M., nga Prelezi kishte shkuar në spital bashke me familjarët e saj, me ankesa për obstipacion dhe gjakderdhje nga zorra e trashë, ndërsa menjëherë kishte kërkuar të hynte në tualet, ku më pas kishte kryer lindjen.

“Pacientja me inicialet F.M. nga Prelezi ka ardhur në Emergjencën e Ferizajt me ankesa për obstipacion dhe gjakderdhje nga zorra e trashë, e shoqëruar nga motra, nëna dhe babai. Menjëherë pasi ka ardhur, ajo ka kërkuar të hyjë në tualet, ku më pas ka kryer lindjen.”, tha Alilaj.

Sipas saj, dera e tualetit është hapur më vonë nga jashtë nga stafi, ndërsa foshnja është gjetur në një shportë, e ndarë nga kordoni ombilikal nga vetë pacientja.

“Pastaj dera është hapur nga jashtë nga stafi dhe familjarët. Kur kanë hyrë brenda, foshnja është gjetur në një shportë, e ndarë nga kordoni ombilikal nga vetë pacientja.”, shtoi ajo.

Mjekja tutje bëri të ditur se në vendngjarje ka qenë edhe neonatologia kujdestare, e cila kishte konstatuar se foshnja ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Foshnja ka qenë në hipotermi, e ftohtë, me tonus nën 100 dhe saturim nën 60. Është tentuar reanimimi emergjent, por foshnja nuk ka arritur të mbijetojë”, deklaroi ajo.

Sipas raportimeve të neonatologes, foshnja kishte shenja të ngulfatjes dhe kishte qëndruar për një kohë në tualet në temperaturë të ulët.

“Janë ndërmarrë menjëherë procedurat e reanimimit, por foshnja nuk ka arritur të mbijetojë. Sipas neonatologes, foshnja kishte shenja të ngulfatjes dhe dyshohet se pacientja i ka lëshuar ujë në banjo, duke e ftohur shumë foshnjën.”, shtoi ajo.

Gjendja shëndetësore e pacientës sipas gjinekologes është stabile.


“Vrasje e foshnjës gjatë lindjes”, e dyshuar nëna

Një foshnje ka ndërruar jetë pak pas lindjes në Ferizaj.  Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka njoftuar se e dyshuara raportohet se kishte lindur foshnjën në tualetin e Emergjencës.

Foshnja ishte gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kishte vdekur pas një kohe të shkurtër.

”Vrasje e foshnjës gjatë lindjes. E dyshuara femër k- shqiptare , raportohet se në tualetin e Emergjencës kishte lindur foshnjën e saj . Foshnja ndodhej në gjendje të rëndë  shëndetësore dhe ka ndërrua jetë pas pak kohe . Me vendim të prokurorit foshnja është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, për procedura të mëtjeshme hetimore, derisa e dyshuara ndodhet në spitalin e Gjinekologjisë  Ferizaj, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore”, tha Veseli./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button