Kaloni te përmbajtja kryesore

Rasti në Lipjan, deklarohet vëllai i Agonit: Po duket ngjarje e përgatitur

(Lajm i përditësuar)


Prokuroria e Prishtinës: Ende s’e kemi pranuar raportin e autopsisë nga IML-ja për vdekjen e Agon Zejnullahut

Prokuroria Themelore e Prishtinës ende s’e ka pranuar raportin zyrtar nga Instituti Mjeko-Ligjor për rastin e vdekjes së 27 vjeçarit, Agon Zejnullahu.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë,  deri në këtë fazë nuk ka pranuar raportin zyrtar të autopsisë nga Mjekësia Ligjore, lidhur me rastin e viktimës A.Z”, ka thënë Shala.

Ndër të tjera Shala tha se për çdo zhvillim lidhur me rastin në fjalë do të ketë njoftime me kohë. /21Media


Avokati i Popullit nis hetimet për rastin e të riut në Lipjan

Avokati i Popullit ka  bërë të ditur  se ka nisur procedurat hetimore për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan të hënën.

“Ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”, thuhet në njoftimin e Avokatit Popullit.

“Me këtë rast, Avokati i Popullit rikujton se policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i autorizimeve ligjore dhe çdo formë e dhunës apo keqtrajtimit janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë. Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës”, thuhet në reagim të IAP-së.

Avokati i Popullit ka kërkuar transparencë nga institucionet.

Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të së hënës gjatë arrestimi nga policia. Sipas njoftimit të parë të policisë lidhur me rastin ai arrestua nga policia, për shkak të dyshimeve se po sulmonte automjete e kalimtarë.

Derisa familjarët  kanë thënë se Agon Zejnullahu ka vdekur për shkak të dhunës që policia ka ushtruar ndaj tij. /21Media


Haxhiu: Autopsia e 27-vjeçarit në Lipjan është kryer dje, pritet raporti përfundimtar

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar për vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan, për të cilin ka thënë se autopsia e tij është kryer të hënën.

Ajo ka theksuar se IML-ja po bën përpjekje maksimale që sa më shpejt të përfundoj raporti i autopsisë dhe se një preliminar s’është dorëzuar ende.

“Me urdhëresë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dje është kryer autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu. IML është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të marra gjatë autopsisë në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt raporti i autopsisë. Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka dorëzuar asnjë raport preliminar për këtë rast”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

I riu A.Z në Lipjan ka vdekur në rrethana të dyshimta. Lidhur me rastin janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje pesë zyrtarë policorë. Ata po dyshohen për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.


Sveçla për vdekjen e të riut në Lipjan: Fajtorët do të marrin dënimin e merituar, askush nuk është mbi ligjin

Ministri në detyrë i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan, rast ky që janë suspenduar mbrëmë pesë zyrtarë policiorë.

Sveçla, ka thënë se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut Agon Zejnullahu në Lipjan, do të marrë dënimin e merituar.

Një ditë pas rastit përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sfeçla ka thënë se se hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar me intersitet maksimal, teksa shtoi se ka kërkuar në këtë rast angazhim urgjent dhe profesional nga IP dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi.

“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan. Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal. Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar. Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend. Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast”, ka shkruar ai.

Në fund Sveçla ka thënë se Policia është institucioni më i besuar dhe më kredibil në Kosovë, tek ka shtuar se besimin duhet ruajtur me çdo kusht. /21Media


Vllau i Agonit: Nëse nuk e merr shteti në dorë, ne kemi me marrë këtë rast

Alban Zejnullahu, vëllai  i viktimës Agon Zejnullahut, ka thënë se i gjithë rrjeti zingjiror i shtetit ka qenë fshehja e rastin, ai vlerëson se ka pasur instistim që pas rrahjes vëllau i tij ka vdekë aty.

Ai falënderon mjeken e cila ka dalur para mediave për sqarim lidhur me këtë rast.

“Krejt rrjeti zingjiror i shtetit ka qenë me fshehë rastin me insistu që dmth pas rrahjes ka vdekë këtu, sulm infrakt ose diqka. Por edhe pse nuk e njohim personalisht e falënderojmë shumë atë  doktoreshën që ka dalë para mediave dhe ka treguar realitetin që e falënderojmë shumë”, ka deklaruar ai para mediave, përcjell portali rtv21.tv

I pyetur se pse mendon që ka “ndodhur i planifikuar ky rast”, ai tha se në mënyrë të videos shihet si planifikim, teksa shtoi se nëse nuk e merr shteti në dorë, familja e tij do të marrin këtë rast.

“Ne nuk kemi fakte, dhe nuk guxojmë me thanë direkt, në mënyrë të videos shihet si planifikim doket mrena dy tre minutave policët civil rasisht dalin prej kerrit edhe një grua bërtet vinë tani policia. Su kanë e rastishme 5-6 veta a po kupton. Na i kemi dyshimet tona, na prapë i besojmë institucioneve të shtetit, nëse nuk i besojmë nuk kisha jetu në këtë vend, shpresojmë se ka hala njerzë të mirë. Nëse nuk e merr shteti në dorë, na kena me marrë këtë rast, e themë më bindje të plotë”, theksoi Zejnullahu. /21Media


Rasti në Lipjan, deklarohet vëllai i Agonit: Po duket ngjarje e përgatitur

Alban Zejnullahu, -vëllai  i viktimës Agon Zejnullahut, i cili vdiq dy ditë më parë në Ferizaj është deklaruar për media lidhur me rastin.

Ai tha se për rastin fillimisht janë thirrë nga stacioni i policisë rreth orës 1:00 pas mesnate , siç sqaroi ai iu thanë që të shkojnë në emergjencë, përcjell portali rtv21.tv

“ Ish kanë e musht policë, pak e çuditshme , kur hymë brenda po e shohim vllaun ia kishin vendos një çarçaf të bardhë përmi, baba e pyeti pse ja keni mbulu po  zëni frymën, thanë se ka vdekë…jo që nuk na kanë dhënë sqarime or po du me theksu që aty ka pasur policë që i njoh e nuk kanë ardhë me na thënë ngushëllime , janë shmangur, janë shtyrë me një anë që as nuk i kuptojsha”, tha ndër tjerash Zejnullahu.

Më tej ai tha se ka dalë të flasë më shokët e tij të cilëve u ka thënë se nuk po e kupton situatën se as ngushëllime  nuk po i thonë.

“Nuk na shpjegofshin diçka të kjartë nuk na kanë dhënë ndonjë letër , zanat që i nijshim t’u fol në polici e sene , jo infarkt , jo dozë e lartë e alkoolit , na kur e hapëm kufomën në atë moment kishte pasur shumë shenja nuk u kuptojke a ka qenë luftë nuk u merrke vesh situata me trup tij, OK mundet me pas një shenjë në kokë nëse bjen në tokë po se di”, tha a.

Më tej se policët në fjalë i ka njohur madje tha se me disa prej tyre kishte pirë edhe kafe, përcjell portali rtv21.tv

“Cili u kanë qëllimi i tyre nuk e di, po me duket ngjarje e përgatitur, aty ndërhynë një polic civil i Ferizajit , nuk mundem me thënë se në Lipjan nuk mundet me ardhë , por nuk po e  di kërkush për çka ka qëlluar në atë moment që e nxjerr prej makinës vëllain tem”, tha ai.

Kur u pyet se kë e mban përgjegjës ai tha : Ata që e kanë mbytë vëllain tonë, ata policë që janë përmbi të.

“Sonte në mbrëmje e siguron avoakti një video që nuk është parë deri tani ku shihet qartë prej momentit të shtrirjes deri në momentin kur fillon me bërtitë lëshomë se …i hyp njëri 1 minut e 30 e diçka sekonda ia vendos këmbën në kokë derisa nuk lëviz më, tjerët i hypin i mëshojnë sa mujnë edhe kur  e shohin situatën qohet njëri i qet ujë e lidh me pranga të vdekur e mbajnë me kokë poshtë e kapin qashtu e lënë qatu e thirrin emergjencën i thojnë hajde një rrahje, ajo shkon për një rrahje normale , masandej në vend të ngjarjes e kupton që është i vdekur , iu thotë mjekja largoni prangat njeriut të vdekur qysh jeni duke   e mbajt kështu “, tha ai./21Media


Musliu për rastin në Lipjan: Policia ka nevojë për reforma urgjente, ky rast të hetohet në mënyrë të pavarur

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kërkuar hetim urgjent për vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ajo ka thënë se shpeshtësia e raste të tilla është alarm për rrezikun që i kanoset institucionit të policisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Musliu tha se në asnjë rrethanë nuk mund të justifikohet abuzimi me forcën apo tejkalimin e autoritetit ligjor, ku shtoi se ky rast dueht të hetohet me urgjencë, në mënyrë të pavarur, transparente dhe profesionale.

“Ngjarja tragjike që ndodhi në Lipjan, ku një person humbi jetën pas një ndërhyrje policore, ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime serioze për reagimet e zyrtarëve policorë dhe dyshimet për perdorimin disproporcional të forces. Pamjet e publikuara janë të rënda dhe kërkojnë përgjigje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse. Ajo çfarë duhet të themi qartë është se ne nuk guxojmë të lejojmë rreshqitjen e shtetit tonë drejt formave të kontrollit represiv ose të kontrollit të tepruar policor. Në asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë abuzimin me forcën apo tejkalimin e autoritetit ligjor. Prandaj kërkoj që ky rast të hetohet me urgjencë, në mënyrë të pavarur, transparente dhe profesionale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën, dhe askush nuk qëndron mbi ligjin, asnjë individ dhe asnjë institucion”, ka shkruar Musliu.

Ajo tha se Policia e Kosovës ka nevojë për reforma urgjente dhe përgatitje të përshtatshme për zyrtarët policorë.

Ndër të tjera Musliu tha se drejtësia duhet të jetë e shpejtë dhe e palëkundur.

“Si një nga avokueset më të zëshme të Policisë së Kosovës, jam plotësisht e vetëdijshme për sfidat me të cilat përballen pjesëtarët e saj çdo ditë, nga mungesa e mbështetjes institucionale, trajtimi i papërshtatshëm profesional, e deri te mungesa e kushteve për një punë dinjitoze. Në të njëjtën kohë, si përfaqësuese politike, por edhe si qytetare e këtij vendi, ndjej detyrim të ngre zërin pë të dënuar çdo formë të përdorimit joproporcional të forcës, veçanërisht kur ajo vjen nga organet që kanë për detyrë të garantojnë siguri dhe të mbrojnë qytetarin. Policia e Kosovës, me gjithë sfidat e rënda nëpër të cilat ka kaluar përgjatë këtyre 26 viteve në liri, ka qenë gjithmonë institucioni më i besueshëm në vend. Mos të lejojmë që rastet e tilla të dëmtojnë këtë imazh. Por, shpeshtësia e rasteve të tilla është një alarm për rrezikun që i kanoset institucionit të policisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit, prandaj kjo ngjarje tragjike duhet të jetë një pikë kthese për reflektim të thellë nga shteti, shoqëria dhe institucionet tona. Policia e Kosovës ka nevojë për reforma urgjente dhe përgatitje të përshtatshme për zyrtarët policorë në mënyrë që ata të performojnë në mënyrën më të mirë. Drejtësia duhet të jetë e shpejtë dhe e palëkundur. Shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së të ndjerit”, ka shkruar tutje Musliu. /21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button