Reagon AKB-ja: Prodhimet vendore në rrezik, produktet serbe po dominojnë tregun e Kosovës

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka reaguar ndaj rritjes së importit nga Serbia.

Sipas të dhënave të publikuara nga AKB, importet nga Serbia janë rritur me mbi 118% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar nga 50.64 milionë euro në 110.53 milionë euro.

“Kosova po përballet me një kthim prapa të rrezikshëm në aspektin ekonomik dhe politik. Importet nga Serbia janë rritur në mënyrë alarmante – nga 50.64 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 në 110.53 milionë euro për të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo rritje prej mbi 118% nuk është thjesht një statistikë ekonomike, por një sinjal i qartë i rikthimit agresiv të produkteve  serbe në tregun tonë dhe i rrënimit të prodhuesve vendorë”, thuhet në një reagim të AKB-së.

Sipas AKB-së kjo  nuk është thjesht një zhvillim ekonomik, por një kërcënim i qartë për prodhuesit vendorë dhe për vetë identitetin tonë ekonomik.

“Ky zhvillim është rezultat i heqjes së masave kufizuese ndaj mallrave serbe, vendim i marrë nga Qeveria e Kosovës pa as një kushte në tetor të vitit të kaluar, nën trysninë e faktorit serbë dhe  ndërkombëtar. Pasojat tashmë janë të dukshme: produktet “Made in Kosovo” po zëvendësohen nga ato serbe në rafte, në tregje e në tryezat tona. Kjo situatë nuk është vetëm çështje tregu – është çështje dinjiteti dhe vetëvendosjeje”, thuhet në deklaratën e AKB-së.

Sipas AKB-së, kjo situatë është pasojë direkte e heqjes së masave kufizuese ndaj mallrave serbe në tetor të vitit të kaluar, që sipas tyre vendimi u mor pa kushte nga Qeveria e Kosovës nën presionin e faktorëve ndërkombëtarë dhe serbë.

Back to top button