Reagon Këshilli Gjyqësor i Kosovës: Kjo ngjarje e rëndë përbën një goditje të madhe

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj i ka dërguar telegram ngushëllimi Këshillit të Lartë Gjyqësor të Republikës së Shqipërisë dhe kryetarit të atij Këshilli, Ilir Rusi, për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.

Gjyqtari Kalaja u vra të hënën derisa po mbante seancë gjyqësore në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ndërkaq u plagosën edhe dy qytetarë.

Në reagimin e KGJK-së, thuhet se kjo ngjarje përbën goditje të rëndë jo vetëm për sistemin e drejtësisë shqiptare, por edhe për të gjithë shoqërinë.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin tronditës për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u nda tragjikisht nga jeta gjatë ushtrimit të detyrës në shërbim të drejtësisë. Kjo ngjarje e rëndë përbën një goditje të madhe jo vetëm për sistemin e drejtësisë shqiptare, por për të gjithë shoqërinë, duke cënuar rëndë vlerat themelore të shtetit të së drejtës dhe sigurinë e atyre që janë në shërbim të zbatimit të ligjit”, thuhet në reagim.

KGJK-ja nënvizon nevojën për reflektim instutucional dhe shoqëror.

“Në emër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të gjyqtarëve dhe stafit gjyqësor, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë me familjen e tij, me kolegët dhe me gjithë sistemin gjyqësor të Republikës së Shqipërisë.Në këtë moment të rëndë për drejtësinë shqiptare, ndajmë dhimbjen tuaj dhe nënvizojmë nevojën për reflektim institucional dhe shoqëror. Kujtimi për jetën dhe veprën e tij të mbetet një shembull i qëndrueshëm frymëzimi dhe nderimi në shërbim të drejtësisë”, thuhet në telegram.

Ndryshe, vrasjen e gjyqtarit Kalaja e kanë dënuar krerët e shtetit shqiptar, Bashkimi Evropian e OSBE-ja.

Back to top button