Reagon KMDLNj; Nuk besojmë se do të ndodhë luftë në Kosovë

KMDLNj ka reaguar kundër krerëve të shtetit dhe personave të pandërgjegjshëm të cilët deklarojnë se lufta në Kosovë vetëm sa nuk ka filluar.

Përmes një komunikate për media KMDLNj është shprehur shumë e revoltuar duke thënë se “Analistë të afërt dhe të financuar nga qeveria madje e tregojnë edhe kohën kur do të ketë sulme në Veri të Kosovës në ndërkohë që edhe KM i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani thuaja në çdo takim me të huajt por edhe në paraqitje publike thonë se sulmi si ai i Banjskës mund të përsëritet në ndërkohë që shprehen të gatshëm që me të gjitha mjetet e mundshme të mbrojnë Kosovën dhe, në fakt asnjëri prej këtyre që po alarmojnë për luftë të mundshme në Kosovë nuk ka kontribuar me asgjë dhe kanë qëndruar për shkaqe objektive a subjektive larg luftës anipse kanë mundur të jenë pjesë e luftës kur kërkohej sakrificë për liri dhe çlirim.”

Më tutje KMDLNj potencon se Kosova po përballet me një situatë shumë të rënduar ekonomike dhe shumica e qytetarëve të saj po përballen me problemet e mbijetesës, dhe sipas tyre diskutimet për një luftë të mundshme përmes përhapjes së frikës janë mjet i cili po përdoret për të zhvendosur vëmendjen nga kjo situatë jo e mirë sociale.

“Kërcënimet me luftë bëhen edhe për të mbuluar dështimet e institucioneve thuaja në të gjitha fushat hiç këtu sportin që ka pasur sukses të konsiderueshëm gjatë vitit 2023”, ka shkruar KMDLNj.

Poashtu ata thonë se sulmi i Banjskës është bërë i orkestruar me qëllim për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes për normalizim e situatës me Serbinë dhe që për Kosovën për aq sa është e qasshme për opinion është shumë e dëmshme, retorike luftënxitëse është bërë dukuri e përditshme, në njërën anë, kurse, në anën tjetër thuhet se kemi përmirësim të madh të situatës së sigurisë në Veri të Kosovës dhe pranim të institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve lokal.

“Për këtë, si tregues të këtij përmirësimi merren rënia e numrit të incidenteve në këtë pjesë të Kosovës dhe sidomos pajisja e qyteraëve serbë me tabela RKS e që më parë i refuzoniin”, thuhet ndër tjera në reagim.

Ndërsa, sipas KMDLNj edhe prania e trupave paqëruajtse – KFOR-i t në veri të Kosovës thuaja është dyfishuar dhe ata, në një mënyrë apo tjetër ushtrojnë kompetenca edhe të policisë. Krejt kjo pasi që hallka kryesore në këtë zinxhir është pikërisht KFOR-i dhe pa pëlqimin e tyre nuk mund të ndërmerret asnjë veprim në fushën e sigurisë në aspektin e funksionimit të sigurisë në Veri të Kosovës.

“Dështimet katastrofale në politikën e jashtme, turpërimi në arsim përmes testit PISSA, improvizimet me ndihma akute ( !00 ) euro për kategoritë sociale, mungesa e investimeve kapitale, rritja e ndjeshme e korrupsionit në të gjitha nivelet, ndërhyrja flagrante e qeverisë në punën e institucioneve të pavarura, nepotizmi galopant, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies mundohen të mbulohen me kërcënimet të vazhdueshme me luftë nga Serbia, ndërhyrjen e Rusisë në Kosovë, ndikimin e luftës në Ukrainë si shkas për përkeqësim të situates së sigurisë në Kosovë e gjëra të tjera të ngjashme”, ka shkruar KMDLNj.

Në fund ata kanë bërë thirrje tek të gjithë akterët që të jenë të përmbajtur dhe të përgjegjshëm në deklaratat që i ofrojnë publikut, dhe të mos flasin për gjërat të cilat nuk janë përgjegjësi e tyre, ndërsa thërret i institucionet e Kosovës që të angazhohen për zgjidhje të problemeve jetike për qytetarët, transmeton rtv21.tv.

“Qytetarët duan jetë më të mirë, institucionet e sigurisë duan kushte më të mira të punë dhe të ardhura më të mira, sigurime shëndetësore dhe sigurime jetësore, arsim më cilësorë në të gjitha nivelet si edhe shërbime shëndetësore më të mira. Duan një mjedis të pastër dhe jo të mbytur nga mbeturinat, hapësira të blerta dhe barazi para ligjit. Duan mundësi të barabarta gjatë punësimit dhe gradimit. Thjeshtë, duan të kenë një ardhmëri në Kosovë dhe të cilën aktualisht nuk e kanë ose e kanë fare të pasigurt”, shkruan KMDLNj.

Duke shtuar në fund se nuk duhet të flitet për një luftë të cilën ata nuk e besojnë se do të ndodh./21Media

Back to top button