Reagon sërish Haxhiu: S’do t’i mbyllim sytë përballë padrejtësive
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar sërish ndaj Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokuroria të Kosovës.
Haxhiu përmes një postimi në llogarinë e saj “Facebook” ka thënë se skandalet në sistemin e drejtësisë janë alarm dhe duhet të jenë shqetësim për vet këshillat përkatës. Ajo thotë se barikadimi nuk i ndihmon sistemit e as nuk është në shërbim të drejtësisë.
“Jo vetëm unë, po s’ka asnjë raport të vetëm në të cilin nuk evidentohen problemet e mëdha në sistemin e drejtësisë dhe si Ministri, përditë përballemi me shqetësimet e qytetarëve në raport me mosveprimin e institucioneve të drejtësisë. Vonesat në trajtim të lëndëve, ndikimet në sistem, neglizhenca dhe shumë të tjera janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet sistemi i drejtësisë. Qeveria jonë ka marrë mandatin e kthimit të besimit qytetar në institucionet e drejtësisë dhe për këtë do të punojmë pa u ndalur”, ka shkruar ajo.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thënë se nuk ka nevojë për mbështetje nga askush e aq më pak nga pushteti ekzekutiv.
Në anën tjetë Haxhiu ka theksuar se bashkëpunimi me institucionet e drejtësisë, është i rëndësishëm, në kuptim të krijimit të kushteve të punës me qëllim të zbatimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
“Asnjëherë nuk do t’i mbyllim sytë përballë padrejtësive e shkeljeve. Skandalet në sistemin e drejtësisë janë alarm dhe kjo duhet të përbëj shqetësim edhe për vet këshillat përkatës dhe është në mandatin tim kushtetues të bëj thirrje për zbatimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Barikadimi nuk i ndihmon sistemit e as nuk është shërbim të drejtësisë. Është koha e fundit për të punuar e angazhuar në këtë drejtim. Këtë ua kemi borxh qytetarëve dhe vendit”, ka thënë Haxhiu.
Gjithë reagimet erdhën pasi zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu në një konferencë për media të martën akuzoi ish-ministren e këtij dikasteri Dhurata Hoxha dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për ndarjen e mjeteve financiare prej afër 1 milion euro në mënyrë të kundërligjshme për grupe të caktuara të ekspertëve mjekoligjorë./21Media