Reagon Sveçla: Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme

Ministri i Drejtësisë, Xhelal Sveçla ka reaguar pas rastit të mbrëmshëm në Prishtinë, ku u vra një person dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Si tha se raste të tilla nuk do të ndodhnin se po të mos dështonte sistemi i drejtësisë

Duke iu referuar rastit të vrasjes së Marigona Osmanit, vepër për të cilën Dardan Krivaqës iu shqiptua dënimi me burgim të përjetshëm, tha se nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë.

“Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer. Ndëshkimi erdhi vetëm pasi humbëm një jetë të re, atë të Marigonës. Duhet të humbte jetën e saj një nëntëmbëdhjetë vjeçare, dhe në mënyrën me te dhunshme, që sistemi i drejtësisë të ndjente peshën e krimit. Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. “, shkroi Sveçla.

Deri sa për rastin e mbrëmshëm tha se një person u vra nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë.

“Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetëra të rinj të tjerë. Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme! Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre.”, vijon reagimi i Sveçlës.

Më tej ai tha se është  koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, por sipas tij mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontigjent kriminal.

“Drejtësia është virtyt që duhet mbrojtur nga e tërë shoqëria, përfshirë aktivistët e shoqërisë civile dhe gazetarët. Ndjenja e të drejtës duhet të jetë shqetësim për të gjithë ne. Shembujt e ndëshkimit të krimit shërbejnë edhe si mbështetje për rolin e policisë sonë. Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme!”, tha Sveçla./21Media

Back to top button