Reagon Totaj për manipulimin e votave: Do të kërkoj përgjegjësi

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj,  ka reaguar pas raportimit të parregullësive nga procesi i rinumërimit të votave në Prizren.

Ai përmes një postimi  në  Facebook është shprehur i zhgënjyer.

“Si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona”, ka shkruar Totaj në Facebook.

Më tej ai ka siguruar  qytetarët se PDK-ja di dhe do ta mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, siç ka shkruar, duke vepruar si gjithmonë me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij.

“Parregullsitë e shfaqura tek të gjitha partitë, diku më shumë e diku më pak, kërkojnë edhe një rivlerësim të tërësishëm nga KQZ-ja dhe institucionet përkatëse të procesit të numërimit dhe menaxhimit të kujdesshëm që të ruhet deri në fund mbarvajtja dhe paprekshmëria e zgjedhjeve”, ka shkruar Totaj.

Nga rinumërimi i deritashëm Prizreni ka dalë komuna me mospërputhjet më të mëdha. Me rinumërimin e 98 për qind të kutive, rezulton se kandidatëve të PDK-së u janë shtuar rreth 19 mijë vota që nuk i kanë marrë nga qytetarët. /21Media

 

Back to top button