Zëdhënësja e PSD-së reagon pas arrestimit të Molliqajt
Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, sonte ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqajt.
Sipas Kuçi, privimi i dhunshëm nga liria i Dardanit përbën abuzim me pushtetin nga ana e të gjithë zingjirit përgjegjës brenda sistemit të drejtësisë, pra sipas saj arrestimi i Dardanit është krejtësisht joproporcional dhe në shpërputhje me kushtet ligjore për një veprim të tillë.
”Ky arrestim ka mund të ngjajë sot në çdo kohë. Ai ka qenë në zyrë dhe nëpër takime të ndryshme në Prishtinë përgjatë këtyre dy ditëve. Mirëpo, arrestimi, pa fletëarrest, u bë në hapësira të një televizioni. Tash, pasi që është arrestuar, po kuptojmë që urdhërarresti i policisë është duke u përpiluar”, ka shkruar ajo në ”Facebook”.
Kuçi ka shtuar se arrestimi në një mënyrë të tillë tregon se Policia është vënë në shërbim të pushtetit të Kurtit.
”Ju sigurojmë se ne, Partia Socialdemokrate do i mbajmë përgjegjës dhe do ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore kundër të gjithë atyre që sonte abuzuan pushtetin e tyre për ta privuar nga liria Dardan Molliqaj. Arrestimi i panevojshëm i sotëm është i motivuar politikisht dhe është sulm i drejtpërdrejtë ndaj veprimeve tona opozitare”, ka shkruar tutje Kuçi.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj është arrestuar sonte nga Policia e Kosovës. Ai është arrestuar derisa ishte duke shkuar në një emision televiziv.
Molliqaj është ndaluar nga disa pjesëtarë të policisë, të cilët e kanë futur në veturë.
Kreu i PSD-së kishte goditur shuplakë një pjesëtar të Policisë së Kosovës në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës. Molliqaj kishte thënë në lidhje me incidentin se përgjegjësia i bie atij, porse ai ishte ofenduar me fjalë nga zyrtarët policorë./21Media