Refuzohet kërkesa e Prokurorisë për arrest shtëpiak ndaj katër policëve të dyshuar për manipulim me prova

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Penal, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve- zyrtarëve policorë Q.K., B.M., L.T., dhe F.A., të cilët dyshohen për manipulim me prova.

Në njoftim thuhet gjyqtarja e procedurës paraprake, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, kundërshtimeve dhe argumenteve të paraqitura nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre, si dhe analizimit të të gjitha shkresave të lëndës, ka vlerësuar se nuk ka nevojë për caktimin e ndonjë mase.

“Me lënien në liri të të pandehurve, do të arrihet qëllimi i sigurimit të pranisë së tyre në procedurë, dhe kjo nuk do të ndikojë në pengimin apo vonimin e zhvillimit të suksesshëm të çështjes penale”, thuhet në njoftim.

Për këtë arsye, Themelorja ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe ka urdhëruar që të pandehurit të lihen në liri, duke theksuar se nuk duhet zbatuar një masë më e rëndë kur është e mjaftueshme një masë më e butë për sigurimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurë.

Katër të pandehurit dyshohen për veprën penale “Manipulimi me prova” nga neni 389, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Back to top button