Regjistrohet vdekja e parë nga lia e majmunit në Evropë

Brazili dhe Spanja regjistruan vdekjet e para nga lia e majmunit.
Një burrë 41-vjeçar në Brazil u bë rasti i parë që vdiq nga virusi jashtë Afrikës. Spanja njoftoi vdekjen e saj të parë nga lia e majmunit, vdekje e cila është gjithashtu e para në Evropë.
Sipas ministrisë së shëndetësisë të Brazilit, viktima atje vuante nga limfoma dhe një sistem imunitar i dobësuar dhe “komorbiditetet rënduan gjendjen e tij”.
Brazili deri më tani ka raportuar 1,066 raste të konfirmuara dhe 513 raste të dyshuara të virusit. Të dhënat nga ministria e shëndetësisë e Brazilit tregojnë se më shumë se 98% e rasteve të konfirmuara ishin te meshkujt që kryenin marrëdhënie seksuale me meshkuj, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv
Menjëherë më pas, ministria e shëndetësisë e Spanjës konfirmoi vdekjen e parë në Evropë nga virusi.
Në një raport, u bë e ditur se nga 3,750 pacientë me li të majmunit, 120 ose 3.2% u shtruan në spital dhe një vdiq. Nuk u dha asnjë informacion për viktimën.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ka 21,148 raste në mbarë botën.
Virusi i lisë së majmunit është anëtar i së njëjtës familje virusesh si lia, megjithëse është shumë më pak i rëndë dhe ekspertët thonë se shanset për infektim janë të ulëta. Ndodh kryesisht në pjesë të largëta të vendeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, pranë pyjeve tropikale.
Zyrtarët shëndetësorë po rekomandojnë që njerëzve në rrezik më të lartë të ekspozimit ndaj virusit – duke përfshirë disa meshkuj homoseksualë dhe biseksualë, si dhe disa punonjës të kujdesit shëndetësor – duhet t’u ofrohet një vaksinë.
Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli shpërthimin e lisë së majmunëve emergjencë globale shëndetësore.
Por, infeksionet janë zakonisht të lehta dhe rreziku për popullatën e përgjithshme është i ulët.
Javën e kaluar, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shpallja e shpërthimit një emergjencë globale shëndetësore do të ndihmonte në përshpejtimin e zhvillimit të vaksinave dhe zbatimin e masave për të kufizuar përhapjen e virusit.
Por, shtoi ai, “ky është një shpërthim që mund të ndalet me strategjitë e duhura në grupet e duhura”.
OBSH po lëshon rekomandime, të cilat shpreson se do të nxisin vendet të ndërmarrin veprime për të ndaluar transmetimin e virusit dhe për të mbrojtur ata që janë më të rrezikuar./21Media

Back to top button