​Rekord i numrit të policëve të arrestuar dhe suspenduar më 2022

Vitin e kaluar është shënuar numër rekord i arrestimeve dhe suspendimeve të policëve të Kosovës. Të njëjtit janë hetuar dhe është marrë masa për vepra penale korruptive. Vetëm gjatë vitit 2022, janë arrestuar mbi 100 policë, janë proceduar mbi 100 kallëzime penale dhe janë suspenduar 156 prej tyre.
Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor, Kushtrim Hodaj flet për operacionet e njohura “Pika 1” dhe “Pika 2”, e po ashtu edhe për rastin e vrasjes së Hamide Magashit, ku u pasua me suspendime në stacionin policor në Lipjan.
Hodaj thotë se numri i ankesave për zyrtarët policorë është i lartë, raste të cila kanë të bëjnë me punën e tyre.
“Kemi pranuar mbi 1600 ankesa, është një shifër relativisht e lartë e numrit të ankesave që tashmë për vite me radhë adresohet edhe në drejtim të punës së policisë. Dhe këto ankesa janë trajtuar, janë trajtuar disa prej tyre që kanë elemente penale, janë trajtuar dhe hetuar penalisht nga hetuesit tanë. Disa prej tyre që janë vlerësuar që kanë elemente të shkeljeve administrative apo disiplinore janë kthyer në polici për trajtim administrativ”, tregon Hodaj.
Sipas tij, vitin e kaluar është numri më i lartë i të arrestuarve dhe të suspenduarve për raste të korrupsionit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Kemi pasur një ritëm të shtuar të punës dhe të fokusit në rastet e krimeve ekonomike apo raste të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Mund të themi lirisht që është viti që ka numrin më të lartë të të arrestuarve dhe të suspenduarve, e që kryesisht lidhet me veprat penale korruptive. E përmend këtu rastin e pikave të njohur si ‘Pika 1’ dhe ‘Pika 2’, që ka qenë një operacion i madh i luftës anti-korrupsion i zhvilluar jo vetëm në Kosovë. Ka qenë një rast që e kemi hetuar bashkë edhe me ndihmën e institucioneve të tjera në Kosovë, mirëpo edhe me bashkëpunim ndërkombëtar, në këtë rast me Republikën e Shqipërisë. Janë diku 76 zyrtarë policorë të arrestuar vetëm në këto dy raste. Totali i zyrtarëve të arrestuar ka arritur në 107, që është shifra më e lartë që ka ndodhur ndonjëherë në një vit pune të Inspektoratit Policor të Kosovës”, shton Hodaj në intervistën për KosovaPress.
Duke u ndalur te operacionet e njohura si “Pika 1” dhe “Pika 2”, Hodaj thotë se zyrtarët policorë dyshohet se kanë marrë ryshfetit në këmbim të lejimit të kalimit ilegal të njerëzve dhe mallrave.
“Këtu kanë qenë dyshime që qytetarë, kontrabandistë, njerëz të dyshuar kanë kaluar kufirin në mungesë të dokumentacionit, apo kanë kaluar gjëra ilegale në kufi dhe në këmbim të kësaj, kanë dhënë ryshfet për zyrtarët policorë në ato pika. Ne kemi pasur dyshime dhe në përdorimin e masave të fshehta kemi arritur të dokumentojmë qindra e qindra raste korruptive të zyrtarëve policorë dhe si rezultat i argumentimit të dyshimeve, ne në bashkëpunim me dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale, kemi realizuar operacione ku kemi arrestuar këta zyrtarë dhe kemi konfiskuar provat të nevojshme për procedurë penale. Këta janë suspenduar, është dërguar kallëzimi penal në Prokurorinë Speciale. Prokuroria Speciale është duke punuar, është ndoshta pothuajse në përfundim të hetimeve për ngritjen e aktakuzës për pjesën më të madhe të tyre. Dhe këta mbesin të suspenduar derisa të qartësohet përgjegjësia e tyre penale”, shton Hodaj.
Më tej, kryeshefi ekzekutiv i IPK-së deklaron se gjatë vitit 2022 janë suspenduar mbi 150 zyrtarë policorë e po ashtu janë proceduar mbi 100 kallëzime penale.
“Si rezultat i hetimeve të tjera penale dhe kallëzimeve penale që janë ngritur në prokurori është rekomanduar suspendimi te drejtori i përgjithshëm të policisë për 156 zyrtarë që suspendohen për efekte, apo për nevoja të hetimeve që kemi zhvilluar ne. Edhe kjo shifër është ndër më të lartat që ka ndodhur ndonjëherë, si rezultat i rasteve edhe të kufirit që ka qenë rasti më masiv. Janë proceduar mbi 100 kallëzime penale apo raporte të veçanta në prokurori përkatëse të shtetit për këto dhe raste të tjera. Gjithashtu, kemi pasur një dinamikë të re dhe numër të madh inspektimeve, ku kemi inspektuar fushat e ndryshme të menaxhimit policor. Kemi realizuar pesë inspektime që kanë qenë të planifikuara me planin vjetor të inspektimeve, gjithashtu kemi realizuar edhe shtatë inspektime të jashtëzakonshme cilat kanë ndodhur për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë vitit”, njofton Hodaj.
Ai flet edhe për rastin e 35-vjeçares, Hamide Magashi, e cila gjatë muajit nëntor u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Hodaj thekson se ka dyshime të bazuara që disa prej raporteve janë plotësuar pas rastit tragjik.
“Kemi krijuar një grup të veçantë hetimor dhe inspektues, të cilët kanë verifikuar veprimet që janë ndërmarrë prej momentit të paraqitjes së rastit e deri në ditën kritike kur e ndjera është vrarë. Ne kemi gjetur, apo kemi dyshimet tona të bazuara, që disa prej raporteve janë plotësuar pas ndodhjes së rastit tragjik. Dhe kjo për ne ka qenë shqetësuese dhe kjo ka qenë arsyeje që zyrtarët përgjegjës, duke përfshirë edhe komandantin e policisë, është rekomanduar suspendimi për ta. Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe për përgjegjësinë përfundimtare të tyre apo të zyrtarëve të tjerë që mund të dalin përgjegjës në këtë rast, sigurisht që do t’i japim në një moment tjetër për shkak se jemi në proces të hetimit”, thekson Hodaj.
Hodaj bën të ditur se për rastin e dhunimit të 11-vjecares janë intervistuar të gjithë personat e përfshirë dhe kanë dorëzuar raportin në prokurori.

Back to top button