Rekrutët e rinj të Njësisë Speciale trajnohen për turmat e dhunshme

Në ambientet e Kampit “Vrella”, rekrutët e rinj që janë pjesë e trajnimit bazik për drejtorinë e Njësive Speciale Operative zhvilluan sot një demonstrim profesional të teknikave dhe taktikave për menaxhimin e turmave të dhunshme.
Sias Policisë, ky demonstrim përfaqëson një nga fazat kyçe të trajnimit intensiv të rekrutëve, i cili përfshin komponentë të ndryshëm të përgatitjes fizike, taktike dhe psikologjike për misionet e ndjeshme dhe të rrezikshme që kryejnë njësitë speciale.
Aktiviteti u mbikëqyr nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me Drejtorin e Departamentit të Njësive Speciale, kolonel Mentor Shabani, dhe menaxhmentin e lartë të DNJSO.
Pas përfundimit të demonstrimit, kolonel Hoxha iu drejtua rekrutëve me një fjalim motivues, duke i përgëzuar për përkushtimin dhe disiplinën e treguar, si dhe duke falënderuar instruktorët për rolin e tyre në ndërtimin e një force profesionale dhe të përgatitur për çdo situatë.
“Përgatitja juaj sot tregon jo vetëm vullnetin për të shërbyer, por edhe gatishmërinë për të qenë në radhët e para të sigurisë dhe rendit. Kjo është një përgjegjësi e madhe, por edhe një nder i veçantë”, tha ndër të tjera kolonel Hoxha.
Trajnimi bazik për DNJSO do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke përfshirë module të ndryshme në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të policimit special.