Renovimi në QKUK shkaktoi listë të pritjes

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, disa klinika janë në renovim. Trajtimi i pacientëve po bëhet në objekte të tjera e hapësira improvizuese. Ndërkaq, pacientët ankohen se me këtë bartje është zgjatur lista e pritjes.

Klinika e Gjinekologjisë, Onkologjisë, Urologjisë, Kardiokirurgjisë si dhe Klinika Emergjente janë në renovim. Nga ky proces, pacientët ankohen se po iu vështirësohet trajtimi si dhe është zgjatur lista e pritjes.

Që nga 15 janari, shërbimet e Klinikës së Onkologjisë ofrohen në objektin e mjekësisë sportive. Kjo bartje ka qenë e vështirë për pacientët, të cilët përpos që ankohen për pritje, vështirësi kanë edhe me sigurimin e terapive.

“Bartja katastrof, qito kushte qysh jemi janë mundu në maksimum. Unë që një vit jam në kimioterapi, për çdo dy javë i blej ka 400 euro se s’ka këtu, edhe e dyta ministria s’ka vlerë të unë se jam veteran i luftës, e me 170 m'[duhet me i ble qito çdo dy javë, e dalin në televizor e rrejnë jo e kem bo kto e ata. Na bon lazëm ka 4 orë me pritë këtu, na jemi të smutë, dikë se majnë kamtë…Edhe në objekt të vjetër kemi pritë po stafi u kanë pak ma, e ktu një motër duhet tanë qita me na këqyrë. Në vend me na e bo një rrafsh dikun kta veç edhe ma nalt, na duhet ka dy kat me i ngjitë…”, tha për rtv21 pacienti, Adem Zukaj.

“Paj tu e pa numrin e madh të pacientëve, vërtetë është pak e vështirë mirëpo gjithmonë duke i falenderu punëtorëve të shëndetësisë, si motrave e mjekëve, vërtetë është mbikqyrje që nuk di si ta përshkruaj, me ton këta pacientë e këtë diagnozë të randë që e kemi…”, tha tutje Valbona Rizvanolli – paciente.

Onkologu, Faton Sermaxhaj thotë se ky transferim ka ndikuar në punën e përditshme të stafit, mirëpo shërbimet vazhdojnë në mënyrë të rregullt në hapësirat e improvizuara.

“Klinika e onkologjisë ka filluar renovimin qysh para vitit të ri, shtator/tetor. Pacientët e shtrirë janë transferuar në pjesën e vjetër që nga fundi i tetorit. Ndërsa aktualisht pacientët të cilët trajtohen po vazhdojnë të marrin trajtimin këtu në objektin e mjekësisë sportive që nga 15 janari e deri më tani. Mund të themi se hapësirën që e shfrytëzojmë është e kënaqshme pasi jëmi në rrethana të improvizuara, për personelin shëndetësor është jo e favorshme por punët po vazhdojnë. Ka ndikuar pak”, tha Sermaxhaj për rtv21.

Procesi i renovimit ka shkaktuar telashe edhe në Klinikën e Kardiokirurgjisë, gjë që ka zgjatur listën e pritjes.

Drejtori i kësaj klinike, Shpetim Shurdhiqi, thotë se janë duke funksionuar me vetëm një sallë operimi.

“Pacientët gjatë kësaj periudhe janë trajtuar në kuadër të objektit të shërbimit të mjekesisë fizikale dhe kemi vazhdu aty me operimet. Fatkeqësisht numri i pperimeve është zvogëu sepse jemi vetëm me një sallë, fatmirësisht kemi arritë rastet urgjente të ndërhyrjeve në zemër janë përfundu. Kemi një rritje lehtësisht të listes se pritjes”, tha Shurdhiqi.

Shoqata e pacientëve të Kosovës intervenimet në këto klinika i konsideron të domosdoshme pasi që infrastruktura nuk ka qenë në përputhje me nevojat e pacientëve./RTV21/21Media

Back to top button