Republikanët në SHBA bllokojnë projektligjin për reforma zgjedhore

 
Republikanët amerikanë kanë bllokuar tentimet e demokratëve për të zbatuar rregulla të reja për zgjedhjet në nivel kombëtar, një prioritet i partisë së presidentit amerikan Joe Biden.
Projektligji, që synonte të lehtësonte procesin e votimit për amerikanët, ka përfunduar me 50 vota për dhe 50 kundër tij. Ky dokument është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve në muajin mars, mirëpo për të vazhduar tutje i janë dashur 60 vota në Senatin me 100 ulëse. Biden ka thënë se kjo çështje ka qenë tejet e rëndësishme për udhëheqësinë e tij, mirëpo disa demokratë e kanë akuzuar atë se nuk ka luftuar mjaftueshëm për të.
Përkrahësit e legjislacionit, kanë thënë se nëse do të miratohej, ky dokument do të përbënte ndryshimin më të madh prej Aktit për të Drejtat e Votimit më 1965.
Ky mosmiratim vjen në kohën kur shtetet e udhëhequra nga republikanët, kanë shtuar propozimet – të cilat Biden i konsideron tejet diskriminuese – për të ashpërsuar ligjet për zgjedhjet.Nënpresidentja amerikane Kamala Harris, e cila është angazhuar për të çuar përpara reformën, ka thënë pas votimit se “lufta nuk ka mbaruar”. Nëse do të miratohej, legjislacioni do të mundësonte 15 ditë të votimit të hershëm, do ta kthente ditën e zgjedhjeve në ditë pushimi dhe do të garantonte regjistrim automatik për secilin person me patentë-shofer.
Demokratët kanë thënë se ky legjislacion do të siguronte më shumë transprencë për dhënie të kontributeve në fushatë.
Partia Demokratike ka thënë se propozimi gati 900 faqësh është kritik për demokracinë dhe do të garantonte më shumë qasje për votuesit me ngjyrë./21Media

Back to top button