Reshjet e dendura bllokojnë shtëpi dhe rrugë në lagjen “Meshari”

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në lagjen “Meshari” ku jetojnë minoritetet në komunën e Fushë Kosovës. Uji ka përmbytur rrugët dhe disa shtëpi, duke hyrë deri në bodrume, raporton KosovaPress.

Banorët thonë se furnizimi me ujë të pijshëm është plotësisht i ndërprerë, ndërsa problemet me energjinë elektrike janë të vazhdueshme, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për familjet që jetojnë në ketë lagje.

Banori i lagjes “Meshari” në Fushë Kosovë, Florim Rexhepi, thotë se përmbytja ka shkaktuar dëme në shtëpinë e tij, por sipas tij situata po stabilizohet ngadalë.

“Përmbytja ka filluar që dy apo tre ditë, nuk ka qenë kështu, po mbrëmë niveli i ujit ka qenë shumë më i lartë se sot, pak ka filluar me u stabilizua gjendja. Jemi të dëmtuar… ka ndërprerje të ujit të pijshëm. Këtu jemi tri familje në këtë shtëpi, prindërit i kam poshtë, nënën e kam të paralizume, babën e kam me katedër, më ka dashur me i ngjit lart… Kjo punë është prej anës së Zotit, nuk është prej njerëzve”, theksoi Rexhepi.

Shumë prej shtëpive të prekura janë të pabanuara, në zona më të ulëta, ku uji grumbullohet më lehtë.

Banorë tjerë kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet komunale për të siguruar furnizim me ujë dhe për të parandaluar dëmet materiale.

Edhe mbrëmë banorët e kësaj lagje përjetuan tmerrin e nga vërshimet. Sipas disa fotove dhe videove të dërguara nga banorët, shtëpitë e tyre ishin të përmbytura nga uji dhe balta.

Back to top button