Reshjet e dendura të shiut, kjo është situata në Prizren

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Komunës së Prizrenit, ndërsa ekipet emergjente janë angazhuar vazhdimisht në terren për menaxhimin e situatës dhe ndihmën ndaj qytetarëve.
Përmes një njoftimi Komuna e Prizrenit, ka bërë të ditur se angazhimi i ekipeve emergjente do të vazhdojë edhe më tej, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe mbështetjes së qytetarëve në vendbanimet më të prekura nga reshjet e rrëmbyeshme.
Në këtë njoftim është thënë se ekipet emergjente të kontraktuara nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, si dhe nga Drejtoria e Emergjencave dhe Sigurisë, kanë qenë të pranishme në zonat më të prekura, duke ofruar mbështetje me të gjitha kapacitetet në dispozicion.