Reshjet e shiut, IKShPK tregon se në cilat rajone mund të pihet uji aktualisht

Pas reshjeve të dendura të shiut, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po përcjell nga afër situatën me ujë të pijshëm në gjithë territorin e Kosovës. Përmes një njoftimi, IKShPK-ja ka bërë të ditur se në rajonin e Prishtinës, përshkak të turbullirës së madhe të ujit para hyrjes në dy fabrika, ato nuk punojnë, ndërsa theksojnë se uji në rrjet po kontrollohet dhe se nuk ka probleme me cilësinë e ujit të pijes.

Tutje, në rajonin e Prizrenit, uji nga “40 bunarët” është lëshuar vetëm për nevoja sanitare ndërsa për pije nuk është i sigurt, ndërsa nga burimet tjera uji është i përdorshëm. Gjithashtu në Suharekë dhe Malishevë, uji i rrjetit nuk është i përdorshëm për pije.

Në Dragash nuk raportohet të ketë probleme me ujin e pijes. E njëjta vlen edhe për Gjilanin. Në Kamenicë qytetarët janë udhëzuar të mos e përdorin për pije ujin.

Në Deçan dhe në zonën e Jarinës në Klinë, furnizimi me ujë është ndërprerë që nga dita e djeshme. Për të siguruar ujë më të pastër, janë futur në përdorim puset ekzistuese.
Në komunën e Pejës, janë vërejtur turbullira në burimin e Drinit të Bardhë në Radac. Sot situata në Radac është përmirësuar dhe furnizimi me ujë vazhdon normalisht.

Në Ferizaj uji është i sigurt për pije, gjithashtu dhe në Gjakovë. Sa i përket Mitrovicës, uji nuk është dhe nuk do të jetë për një kohë të caktuar i lëshuar për pije.

IKShPK-ja në fund ka bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes.

Back to top button