Retorika serbe, alarm për mbështetjen amerikane

Ministrja serbe Snezhana Paunoviq është duke u përballur aktualisht me dy padi për nxitje të përçarjes dhe mos durimit në Kosovë, si dhe kërkesë për shkarkim në Kuvendin serb, për shkak të deklaratës së saj ditë më parë për “spastrim etnik” në Kosovë. Ajo nga Ministria e Brendshme u shpall person i padëshirueshëm në Kosovë. Ndërsa Ministria e Drejtësisë, ngriti padi për nxitje të përçarjes dhe mos durimit. Reagoi edhe ministri i jashtëm i Shqipërisë Ferit Hoxha, gjatë një takimi me homologun e tij serb në Washington.
“Po ashtu, ritheksova qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë lidhur me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë. Nënvizova nevojën për të refuzuar pa asnjë mëdyshje retorikën që nxit tensione, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe vlerave europiane”
Ndërkohë, për deputetin e Kuvendit tee Kosoves nga vitet e 90-ta, Muharrem Shabani, deklaratat e ministres serbe, për “spastrimin etnik” të shqiptarëve nuk ishin të habitshme, sa ishte siç tha, reagimi i zbehtë i Bashkësisë ndërkombëtare me përjashtim të Britanisë së madhe, lidhur me këto deklarata. Shabani tha se deklarata e ministres serbe e bërë ditë më parë tregon mentalitetin e pandryshueshëm të fqinjit verior të Kosovës, derisa pati një një mesazh për institucionet në Kosovë.
“ Po dëshmohet se Kosova pa SHBA-në nuk mund të ecë përpara. I gjithë ky turr ndaj Kosovës nga një shtet Evropian është e papranueshme. I pamë reagimet e Evropës të zbehta Kosova t’i ruaj aleatët dhe miqësinë me SHBA-të”, tha Shabani për rtv21
Pas reagimeve të shumta të bashkësisë ndërkombëtare, presidenti serb Vuqiq tha se Beogradi zyrtar distancohet nga deklarimet e ministres. Megjithatë, për deputetin e vetëm shqiptar në parlamentin e Beogradit, Shaip Kamberi, i cili tashmë ka dorëzuar kërkesën për shkarkimin e saj nga posti ministror, pavarësisht deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për distancim nga qëndrimet e Paunoviçit, përpjekjet për relativizimin e tyre tregojnë, sipas tij, se një pjesë e establishmentit politik serb nuk është shkëputur plotësisht nga trashëgimia politike e viteve ’90.
“Në fakt edhe Vuçiq, edhe Daçiq, janë bijtë politikë të liderëve si Millosheviqi dhe Shesheli dhe nuk mund të pritet diçka më konkrete nga një establishment i tillë që në Serbi për vite me radhë po e mohon politikën gjenocidale që ky shtet e ka bërë në vitet ’90, duke e relativizuar krimet, duke mohuar gjenocidin në Srebrenicë, duke mohuar të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë dhe duke tentuar që t’i baraspeshojnë të gjitha ato luftëra që kanë ndodhur, me fajin e dhe të tjerëve, jo vetëm të Serbisë”, deklaroi Kamberi për rtv21
Për ekspertin e anti-terrorizmit Kolë Krasniqi, qëndrimet e ministres serbe paraqesin orientimin e partisë socialiste serbe në raport me Kosovën.
“Po ashtu kemi të bëjmë me përpjekjen për të ndryshuar historinë”, u shpreh Krasniqi për rtv21
Ndërkohë komisionerja për zgjerim e BE-së, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj, ndaj deklaratës së ministres të qeverisë serbe, duke shprehur habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?