Revista kroate demanton Vuçiqin: Marrëveshja KS-AL-HR u koordinua me ShBA-në dhe NATO-n

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, javën e kaluar nënshkruan në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi ushtarake.

Për këtë çështje pati reagim të ashpër nga shteti i Serbisë, duke thënë se është dashur të pyetet ajo, se ka shkelur një marrëveshje të vitit 1996, se është kundër Serbisë, dhe se u bë pa dijeninë e ShBA-së dhe NATO-s.

Mirëpo, ministrat e mbrojtjes nga shtetet nënshkruese, thanë se marrëveshja nuk ka për cak askënd, por synon forcimin e sigurisë në vendet respektive dhe ka për qëllim bashkëpunimin në aspektin e sigurisë mes vendeve nënshkruese, transmeton portali rtv21.tv

Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën, e hapur edhe për partnerët

Revista kroate “Nacional”, ka hedhur poshtë edhe pretendimin e Beogradit zyrtar se ajo u bë pa aminin e ShBA-së dhe të NATO-s.

“Bashkëpunimi i ri ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, për të cilin ministri i mbrojtjes, Ivan Anushiq, javën e kaluar udhëtoi në Tiranë për të nënshkruar deklaratën me ministrin e mbrojtjes të Shqipërisë, Pirro Vengu dhe atë të Kosovës, Ejup Maqedonci, është dakorduar, ose më saktë u koordinua, me administratën e presidentit amerikan Donald Trump dhe me udhëheqjen e NATO-s”.

Këtë, revista kroate “Nacional” thotë t’ua ketë ka konfirmuar jozyrtarisht një burim i lartë pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë.

I pyetur nëse ishte e vërtetë që deklarata ishte rënë dakord me liderët e ShBA-së dhe të NATO-s, një burim i rangut të lartë pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë, shpjegoi:

“Mund t’ju them se deklarata është koordinuar me ata me të cilët është dashur të koordinohet, që janë lojtarët e fortë brenda NATO-s dhe se kushdo që duhet të ishte në dijeni të kësaj nisme kroate, është i njohur me të”, ka thënë ky burim për “Nacional”.

Ky informacion mohon drejtpërdrejt deklaratën e presidentit serb Alleksandar Vuçiq, i cili u tërbua nga nënshkrimi i deklaratës dhe madje tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ishte shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve të vitit 1996 dhe se Kroacia dhe Shqipëria pothuajse “me siguri nuk e informuan NATO-n për gjithçka”.

Ministria e punëve të jashtme e Serbisë tha se “kjo iniciativë, e cila po zbatohet pa Serbinë, por me Prishtinën, paraqet një provokim të hapur dhe një shpërfillje të madhe të realitetit në terren”.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes tre palëshe reagoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se kjo deklaratë trelaterale është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon.

Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën, deklaratë të cilin e tha ai për gazetarë në Bruksel më 19 mars. /21Media

Back to top button