Rezultatet preliminare: Vuçiq fiton edhe një mandat presidencial

Të dielën, më 3 prill, qytetarët serbë votuan në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, teksa zyrtarët zgjedhorë thanë se dalja në zgjedhje mund të jetë deri në 60 për qind të votuesve.
Kjo është një shifër më e lartë e pjesëmarrjes në zgjedhje, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur kishin votuar 48.8 për qind e votuesve.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga organizatat joqeveritare, kandidati i Partisë Përparimtare Serbe dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka fituar 59.8 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale.
Këto të dhëna dalin pas përpunimit të 55.6 për qind të votave, që i japin Vuçiqit edhe një mandat pesëvjeçar në krye të Serbisë.
Presidenti mund të zgjidhet në rundin e parë nëse merr më shumë se 50 për qind të votave të vlefshme. Në të kundërtën, dy kandidatët me më së shumti vota përballen në rundin e dytë të balotazhit.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga IPSOS/ CeSid, në bazë të 62.5 për qind të votave të përpunuara, lista “Aleksandar Vuçiq – Së bashku mund të bëjmë gjithçka” ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare, përkatësisht 43.6 për qind.
Përfaqësuesit e Komisionit të Zgjedhjeve në Serbi njoftuan se nuk do të shpallin rezultatet preliminare të zgjedhjeve gjatë natës së zgjedhjeve. Kjo është hera e parë që ky komision njofton për një vendim të tillë. Opozita ka kritikuar vendimin e komisionit duke e cilësuar si të paprecedent.
Komisioni tha se do të shpallë rezultatet të hënën më 4 prill deri në orën 20:00.
Në zgjedhjet e Serbisë të drejtë vote kanë pasur 6.5 milionë votues./REL

Back to top button