Ridvan Muharremi paraqitet në Speciale, intervistohet për skandalin e rezervave shtetërore

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se sot, Ridvan Muharremi, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie.

“I njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, kanë thënë nga Prokuroria Speciale.

Muharremi dyshohet për përfshirje në skandalin e rezervës shtetërore, i cili shpërtheu vitin e kaluar.

10 milionë euro ishin ndarë nga qeveria për mbushjen me produkte të rezervës shtetërore. Lënda ishte klasifikuar si sekret me vendim të kryeministrit Albin Kurti.

Edhe procedurat e prokurimit, blerjes së mallrave, ishte zhvilluar në formë sekrete. Këtu, dyshohet se kishte marrë rol të fuqishëm biznesmeni Muharremi. Roli i tij ishte ai i ndërmjetësit mes Ministrisë së Tregtisë dhe një kompanie polake, të kontraktuar për blerjen e mallrave, të cilat ndonëse ishin paguar nuk kishin ardhur kurrë.

Dëmi që dyshohet se i është shkaktuar buxhetit të shtetit është disa milionësh.

E dyshuar për këtë rast është edhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie.

Back to top button