Rifillojnë gërmimet në Kizhevak

 

Sot do të rifillojnë gërmimet në Kizhevak të Serbisë për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur gjatë së martës udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara.

Ai ka bërë të ditur se gërmimet në Kizhevak të Serbisë do të përcillen nga ekspertët mjekoligjorë të Kosovës.

“Sa i përket vazhdimit të gërmimeve në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak, siç e kemi potencuar edhe më parë, ju konfirmojmë se nga nesër, datë 5 maj, do të rifillojnë gërmimet në këtë lokacion. Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, pra ekspertët mjekoligjorë ta Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të jenë të pranishëm, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, në përcjellje të gërmimeve dhe të gjitha fazave tjera profesionale mjekoligjore të nevojshme për t’u realizuar në këtë lokacion”, tregoi Gara.

Ekspertët mjekoligjorë të pranishëm nga Republika e Kosovës në Kizhevak të Serbisë do të jenë Naim Uka dhe Valon Hyseni.

Ndërsa, javën e kaluar në Mitrovicë rifilluan gërmimet te varrezat e besimtarëve myslimanë në afërsi të rrugës Mitrovicë-Zveçan, vend ky që në vitin e kaluar u zhvarrosen mbetjet mortore të gjashtë viktimave të luftës. Kësaj radhe në këtë lokacion ekspertët mjekoligjorë nuk hasën në mbetje mortore.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të pagjeturit, ka thënë për KosovaPress se në këtë lokacion nuk është hasur në mbetje mortore, por e lë mundësinë e rikthimit të gërmimeve në këtë lokacion sërish në të ardhmen.

“Të premten, pas vlerësimit të hapësirës së shënjuar, sipas ekspertëve mjekoligjorë, nuk është hasur në mbetje mortore. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia për rikthim në këtë lokacion, varësisht nga informatat plotësuese që mund të sigurojmë”, tregoi Gara.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë nuk dihet ende për fatin e më shumë se 1.600 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe.

Back to top button