Rinovimet në palestrën sportive “Jeton Tërstena-Tota” do përfundojnë këtë vit

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka vizituar palestrën sportive “Jeton Tërstena-Tota”, me ç’rast ka thënë se rinovimet në këtë palestër do të përfundojnë gjatë këtij viti.
Idrizi foli edhe për gjendjen aktuale të paslestrës, e cila ndodhet në gjendje jo të mirë për shfrytëzim nga të rinjtë e Vushtrrisë. Derisa tha se rinovimi i saj do bëhet me buxhetin e vitit 2022, si përmbushje e njërit prej premtimeve të fushatës zgjedhore.
“Kemi ardhur me bë incizimin e palestrës sportive me qëllim të renovimit të saj me buxhetin e vitit 2022. Është një premtim të cilin e kam dhënë gjatë fushatës zgjedhore dhe kjo palestër do tu shërbejë të rinjve. Tash do shikojmë bashkë edhe me arkitektin, ka nevojë të rregullohet ndriçimi, nxemja qendrore, zhveshtoret edhe çdo gjë që lidhet me palestrën sportive do të jetë e rinovuar gjatë këtij viti fiskal”, ka thënë ai.
Madje ai tha se rinovim do të bëjë edhe në Shtëpinë e Kulturës dhe në zhveshtoren e stadiumit “Ferki Aliu”.
“Gjithashtu kemi planifikuar meqë jemi tek planifikimi i buxhetit se në fund të këtij muaji kemi miratimin e buxhetit, kemi planifikuar edhe shumë projekte për të rinjtë kemi planifikuar renovimin e zhveshtores në stadiumin “Ferki Aliu”, mandej edhe me shtëpinë e kulturës domethënë kabinetin për kinematografi edhe disa projekte të tjera që lidhen drejtpërsëdrejti me rininë”, theksoi ai.
Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Medina Bunjaku tha se i presin edhe shumë punë të tjera gjatë kësaj qeverisjeje.
“Bashkë me kryetarin kemi qenë në fushatë dhe janë disa prej premtimeve që i kemi dhënë, duke filluar me rinovimin e palestrës, digjitalizimin e teatrit, kinematografia dhe aktivizimi i saj, gjithashtu na presin edhe punë të tjera në vazhdimësi së bashku më kryetarin gjatë këtyre katër viteve”, u shpreh ajo.
Arkitekt i këtij projekti, i cili pritet të përfundojë gjatë këtij viti është Ramiz Maliqi.

Back to top button