Rinovimet në stadiumin e qytetit në Gjilan
Melos Selmani & Blerian Dushica*
Rinovimi i “Stadiumi të qytetit” në Gjilan filloi si projekt në vitin 2017 dhe pritej të përfundonte në fund të 2020-ës. Mirëpo, “Stadiumi i qytetit” është ende larg të përurohet dhe kështu nuk dihet se kur “Intelektualët” dhe “Skifterat” do të mund t’i shikojnë klubet e tyre të zemrës nga tribuna.
Neglizhenca, zvarritja e punimeve si dhe shumë çështje të tjera e kanë përcjellur realizimin sipas afateve të parapara të “Stadiumit të qytetit” në Gjilan.
Kryetari i ri i komunës, Alban Hyseni tha se ka vizituar punimet e stadiumit dhe ka premtuar mbështetje dhe vazhdim të procedurave të punimeve.
“Financa për projektin ka dhe nuk duhet asgjë shtesë në aspektin financiar. Projekti ka vlerën diku rreth 6 milionë euro dhe projektin e financon MKRS (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit) dhe mjetet janë të gjitha në dispozicion”, shtoi më tutje Kryetari, Alban Hyseni.
Ndërkaq, Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se kompania kontraktuese nuk i ka shfrytëzuar mjetet në vlerë prej mbi 1 milion eurosh dhe ato janë bartur nga viti i kaluar për këtë vit.
Si rrjedhojë e kësaj, në buxhetin e vitit 2022, nuk u nda asnjë cent për projektin e rinovimit të “Stadiumit të qytetit” në Gjilan.
Po ashtu, në vizitën e stadiumit, Minisitri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se ose do të ketë punime intenzive ose do t’i shkëpusim kontratën kompanisë aktuale. Ndër të tjerash, ai shtoi se zvarritja e projektit të stadiumit nuk ka ndodhur për shkak të buxhetit sepse sipas tij mjete ka mjaftueshëm por është çështje e kapacitetit të kompanisë punëkryese.
Projekti që u prezantua në vitin 2017, është paraparë të përfundojë në vitin 2020, por me rekomandime nga FIFA dhe UEFA, ky stadium (i cili ishte paraparë të jetë i kategorisë së dytë) projekti kaloi në kategorinë e katërt, sipas standardeve të FIFA dhe UEFA.
Stadiumi i paraparë me këto standarde pritet të ketë kapacitet prej 10 mijë ulëseve.
Zëdhënësi i klubit të Gjilanit, tregon për vështirësitë që kaloi klubi gjatë këtyre rinovimeve.
Në emër të kontraktorit ka folur Bajram Gashani, nga kompania “Al-Trade”, i cili është zotuar që puna rreth investimit të projektit do të realizohet në bazë të planit dinamik të punimeve të precizuar në këtë kontratë.
Pavarsisht se stadiumi është duke u rinovuar, dy klubet e qytetit janë në krye të tabelës së Superligës së Kosovës. SC Gjilani renditet i pari dhe është i ndjekur nga FC Drita, e cila është në pozitën e dytë tabelare.
Pamje të këtij stadiumi ku shihen se në çfarë kushte janë të detyruar mediat që të xhirojnë ndeshje.