Rizvanolli: Nis modernizimi historik i Termocentralit “Kosova B”, pas katër dekadash

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se për herë të parë që nga ndërtimi i Termocentralit “Kosova B”, ka nisur procesi i modernizimit të njësive ekzistuese dhe zgjerimi i kapaciteteve prodhuese të këtij objekti strategjik energjetik.
Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli ka thënë se për herë të parë prej nga ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova B’, ka filluar modernizimi i njësive ekzistuese.
Sipas saj, ky modernizim po realizohet me një investim prej 56.5 milionë euro, të cilat janë tërësisht të financuara nga KEK-u, pa marrë kredi apo borxh.
“Për herë të parë që nga ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova B’, pas më shumë se katër dekadash, ka filluar modernizimi i njësive ekzistuese dhe zgjerimi i kapaciteteve prodhuese. Me investim prej 56.5 milionë euro, të financuar tërësisht nga KEK-u, pa kredi, pa borxh, po ndërmerret një hap i rëndësishëm drejt sigurisë energjetike dhe përgjegjësisë publike. Vetëm gjatë vitit 2025 pritet një rritje prej +15 MW në kapacitetin prodhues,” ka shkruar Rizvanolli. /21Media