Rizvanolli sqaron polemikat për ‘gazin amerikan’

2 min read

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një konference për media ka folur lidhur me polemikat për gazin amerikan dhe vendimet e qeverisë.Ajo ka thënë se kur flasim për ndërtim të infrastrukturës nuk flasim për gaz të ndonjë shteti, por infrastrukturë që i jep qasje Kosovës përmes Maqedonisë së Veriut në tregun e gazit në Greqi.

“Kohëve të fundit po flitet për gazin amerikan, duhet të qartësohet një gjë, kur flasim për ndërtimin e infrastrukturës, nuk jemi duke folur për gaz amerikan por për ndërtim të infrastrukturës. Në këtë rast opsioni më i studiuar është i ndërtimi të infrastrukturës së gazit i cili do i jepte qasje Kosovës përmes Maqedonisë së Veriut në tregun e gazit natyror në Greqi”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo potencoi se, nëse ndërtohet ndonjë termocentral më gaz, operatori do mund ta blinte në treg të lirë gazin.

“Pastaj nëse do ndërtohej një termocentral me gaz, operatori që e operon atë do e blinte në treg të lirë gazin. Ka dallim mes gazit natyror dhe gazit natyror të lëngshëm”, ka thënë ajo.

Lidhur me ndërtim të infrastrukturës për gazin, ministrja tha se është një opsion që duhet të shqyrtohet. Ajo potencoi se në bashkëpunim me Fondet e Mijëvjeçarit (MCC) është bërë një studim fizibiliteti dhe janë ndarë 200 milionë euro për ndërtim të një pjese të infrastrukturës.

“Ndërtimi i infrastrukturës së gazit është një opsion që është duke u shqyrtuar, sa i përket kësaj çështje, ka shumë keqkuptime dhe diskutime në publik. Ne kemi qenë në bashkëpunim me MCC, për shkak që ka filluar një studim parafizibiliteti, dhe pastaj ka filluar studimin e fizibilitetit në Kosovë për ndërtimin e infrastrukturë së gazit, dhe pastaj ka alokuar një grand prej 200 milion euro, që do të shërbejë për ndërtimin e një pjese të infrastrukturës”, shtoi ajo.

Rizvanolli theksoi se, sa i përket orientimeve strategjike janë në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë partnerët ndërkombëtar , me ambasadën e SHBA-ve, Gjermaninë, zyrën e BE-së./kallxo.com