Rrahja e një të burgosuri nga komuniteti goran, Sallahu: Është pavërtetë dhe e pasaktë

Zv. ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka reaguar pas postimin e Listës Serbe në të cilën thuhet se kryeministri Kurti dëshiron të “spastrojë” etnikisht Kosovën.

Sallahu përmes një postimi në Facebook mohoi këtë deklaratë nga Lista Serbe, ai ndër tjerash tha se ky reagim është i pavërtetë dhe është duke u nxitur gjuhë e urrejtjes ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Sa i përket trajtimit të burgosurit L.SH i komunitetit goran, Zëvendës Ministrit të Drejtësisë thotë se trajtimi i tij dhe i gjithë të burgosurve të tjerë bëhet në mënyrë dinjitoze pavarësisht përkatësisë etnike.

Reagimi i plotë:
Lista Serbe përmes një komunikate të publikuar në rrjetin social ‘’Facebook’’ ka shpifur për një kinse rrahje të një të burgosuri nga komuniteti goran në Burgun e Sigurisë së Lartë. Kjo është pavërtetë dhe e pasaktë. Në reagimin e Listës Serbe jo vetëm që nuk thuhet e vërteta, por po ashtu nxitet edhe urrejtje ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke aluduar se kinse rrahja e një të burgosuri të komunitetit goran në Burgun e Sigurisë të Lartë nga oficerë korrektues, kontribuon në dëshirën e kryeministrit Kurti për spastrim etnik jo vetëm të komunitetit serb, por edhe të komuniteteve tjera. Shpifjet përmes komunikatave kanë për qëllim krijimin e një situate të paqenë me synim prishjen e bashkëjetesës dhe paqes ndërmjet qytetarëve me etni të ndryshme, konkretisht dëmtimin e përpjekjes për integrim të serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës. Ju informojmë se i burgosuri L.SH i komunitetit goran nuk është rrahur nga oficerët korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë. Trajtimi i tij dhe i gjithë të burgosurve të tjerë bëhet në mënyrë dinjitoze pavarësisht përkatësisë etnike, duke i respektuar të gjitha rregullat që janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Komunikata të tilla si kjo e Listës Serbe me përmbajtje të tillë janë tregues më shumë se në ç’mentalitet jeton vet ky subjekt sesa që flasin për gjendjen faktike në Republikën e Kosovës. Lista Serbe duhet të kuptojë dhe të mos manipulojë me komunikata sikur të ishin në vitet 1998-1999, e me kryetarë Zoran Angjellkoviqin apo Velko Odalloviqin. Jemi në vitin 2024 e po jetojmë në një vend demokratik siç është Republika e Kosovës, me të drejta ndër më të avansuarat jo vetëm në Evropë ku të gjithë qytetarët janë të barabartë dhe jetojnë të lirë ashtu siç jetojnë në botën demokratike”, ka shkruar Sallahu.

Reagimi i plotë i Listës Serbe:
Dëshira e Albin Kurtit për ta spastruar etnikisht Kosovën nuk është e drejtuar vetëm kundër serbëve, por edhe kundër jo shqiptarëve të tjerë numri i të cilëve çdo ditë po zvogëlohet në këto anë. Shembulli më i mirë për këtë është rrahja e goranit të ndaluar, Shaqir Lutvia në burgun e Podujevës nga gardianët shqiptarë. Rrahja pa dhimbje e një të ndaluari është shembull i tmerrshëm i represionit institucional të nxitur nga deklaratat ekstreme të regjimit në Prishtinë, duke krijuar atmosferë në të cilën lejohet rrahja e jo shqiptarëve, dhe nuk i nënshtrohet asnjë sanksioni. Ky fatkeqësisht nuk është shembulli i vetëm i rrahjes së personave të arrestuar dhe të arrestuarve. Prandaj është e nevojshme që përfaqësuesit ndërkombëtarë më në fund të thyejnë betimin e heshtjes, të ngrihen dhe të ngrenë zërin në mbrojtje të drejtave të njeriut të serbëve dhe jo shqiptarëve të tjerë në Kosovë. Dikush më në fund duhet ta kuptojë regjimin në Prishtinë dhe ta ndalë represionin institucional që është bërë në të gjitha nivelet për tri vitet e fundit ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë. Fakti që askush nga policët dhe zyrtarët tjerë nuk është dënuar për shkelje të drejtave të serbëve dhe jo shqiptarëve konfirmon se ky nuk është një incident i izoluar por një represion sistemik që duhet dënuar nga të gjithë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe. /21Media

Back to top button