“A t’i mësoj apo të shkoj në xhami për të kërkuar lëmosh, njërën”. Kështu e nis tregimin e saj, Elmaze Uka nga Prishtina, nënë e katër fëmijëve, e cila ditën e kalon rrugëve duke kërkuar lëmoshë. Pranë semaforëve, në xhami, e kafiteri, kështu 42 vjeçarja, nuk lë vend pa e “shtrirë” dorën. Ndërsa, në mbrëmje kthehet me më së shumti katër euro. Me vete pothuajse gjithmonë ka djalin e vogël, i cili ende nuk ka mbushur një vjet. Për të po frikësohet se do të sëmurët nga i ftohti, por edhe nga korona virusi.

Me probleme të mëdha shëndetësore, mjerim të skajshëm, e skamje tash e sa vjet po përballet familja e Agim Ukës nga “Kodra e Trimave”, në Prishtinë. Në një shtrat flenë katër fëmijët, si dhe Elmazja e Agimi. Gjithçka që kanë është një korridor një dhomë, e cila nuk plotëson as kushtet për jetesë.

Në pak metra katrorë, muret janë mbuluar nga myku e vlaga, ndërkohë që kundërmon nga era e lagështisë së mureve. Ushqimin dhe nevojat e tjera bazike, Elmazja dhe Agimi po i sigurojnë me të ardhurat nga ndihma sociale prej 130 euro, të cilat nuk po u mjaftojnë as për barna.

“Ne i kemi kushtet shumë të vështira, kemi vllagë, shumë katastrofë. Edhe unë edhe fëmijët dalim me lyp nëpër xhamia, nëpër krejt xhamitë e Prishtinës nuk ka vend që nuk dalim. Bile tash nuk po na lejojnë. Kur ka qenë pandemia, jam dal me të voglin kemi lyp në të gjitha anët. Kemi dal në semaforë, kafiteri, te semaforët në Dardani, këtu te Posta e madhe, gjithkah kemi dal. Me këtë të voglin se shumë vllagë kemi për së tepërti, veç këto dy dhoma i kemi, katastrofë jena”, tregoi zonja Uka për Kp.

Derisa rrëfeu për jetën e tyre të mjerueshme, e zonja e shtëpisë, Elmazja kujtoi se si me raste kishte qëndruar tërë ditën në rrugë për dy euro.

“Katër euro, dy euro, tri euro edhe jam kthyer në shtëpi. Nuk të jepnin se thonin pandemia. Tani tri euro, dy euro, ashtu më së shumti. Tërë ditën për dy euro kam qëndruar paramendo. Kam dal në ora 10, në 6 në mbrëmje jam kthye. Për dy euro tërë ditën i kam mbledhur dhe jam kthye në shtëpi. Më është lodh edhe djali pa fjet, pa pi, pa ngrënë, pa asgjë. Për dy euro tërë ditën kam qëndruar. Atë ditë nuk do ta harroj kurrë, kam me vdekur e nuk do ta harroj atë ditë. Çka më ka erdh inati, plasa t’u qajt vet”, shtoi ajo.

Pavarësisht që është lodhur shumë, ajo u shpreh se gjithë jetën do të kërkojë lëmoshë. Ndryshe, sipas saj, 130 euro të asistencës sociale nuk po u mjaftojnë për asgjë.

“Me ato para kemi hëngër, kemi pi, duhet me pagua rrymën. Rryma shumë shtrenjtë po më vjen mua, 50 euro më vjen në muaj rryma. Me 50 euro çka me bo, a me hëngër e me pi. Ti nuk ke asgjë këtu pa dal me lyp, burri këtu i përgatiste me hëngër fëmijëve, unë dilja me këtë të voglin, gjithë dal. Sa të jam gjallë kam me dal, e kur të vdes tani vdes nuk mundem më”, shtoi ajo.

Pandemia ua ka vështirësuar edhe më shumë jetesën familjes gjashtë anëtarëshe. Jo rrallë herë kishte shkuar edhe në komunë për ndihmë, megjithatë një gjë e tillë tha se nuk kishte ndodhur.

“Unë kam shkuar vet në komunë, më kanë thënë nuk kemi. Jam shkuar në komunë për i-PAD, për gjëra ushqimore, jam shkuar në komunë për të gjitha. Më kanë thonë nuk kemi… “Oj mami po kam frikë të dal se prej virusit”. Ani rrini në shpi pra, mos dilni hiç të bëjmë nuk ke ku shkon. Shumë keq ky virus na i ka pështjell punët. Unë kam thënë nuk po lypi shumë, veç pak, se shumë katastrofë jemi. Qe tash i kishin ndaluar xhamitë, mos vet. Çka me hëngër, çka me pi, mos vet thash për mua. Shkova në xhami dy euro, u ktheva te komuna isha. Tani po dalim nëpër kafiteri, unë me atë të voglin nëpër kafiteri, gjithkah i shtrijmë duart. Nuk ka vend në Prishtinë që nuk dalim ne”, tha Elmazja.

Elmazja nuk ka pasur asnjëherë të holla që të pajiset me maskë e doreza, as atëherë kur del që të kërkoj ndihmë. Thotë se po frikësohet për fëmijët se do të sëmuren e nuk do të ketë mundësi t’i dërgojë për vizita mjekësore.

“As maskë, as dorezë nuk kam pas me çka t’i blej. Në autobusin nr 3 nuk po më lejojnë të hyp, si të më shohin në 3 sh: dil, dil. Dil se nuk ki maskë…Askush nuk më ka dhënë as maska, as doreza, asgjë. Unë jam shkuar për qita i-PAD, thonin se po i shpërndajnë këta llap topa. As i-PAD, as llap top, asgjë hiç. Më kanë mbet fëmija mbrapa, fëmijët veç po luajnë, asgjë nuk po mësojnë hiç….Nga njëherë kisha frikë, thosha ndoshta njëri e më ngjet edhe mu, i bije edhe këtij të voglit, për ata kisha frikë. Thosha i bije këtij djalit të vogël, po shyqyr mirë e kam djalin….në dyqan jam shkuar me ble edhe jam ardhur, pa maskë, pa doreza, pa asgjë”, tregoi tutje ajo.

Në mungesë të telefonave, e televizorit, tre fëmijët e familjes Uka kanë mbetur mbrapa me mësime. Në kohën kur do të duhej t’iu ndihmonte me detyra, Elmazja tha se ishte rrugëve duke kërkuar para nga kalimtarët.

“Për shkollë asgjë hiç motra ime. Se televizori më është prishur. Edhe ai është i prishur, dytë më janë prishur. Këta asgjë hiç, veç po rrinë. Mësuesja më ka thirr, më ka thënë duhet të mësojnë, i kam thënë oj mësuese si të mësojnë. Më tha: “janë mbet shumë mbrapa fëmijët në këtë kohë”. I thash: “çka me bo”. Ka thënë që janë mbet shumë mbrapa fëmijët”… Për mua si nënë, që më kanë mbet fëmijët pa shkollë, pak pak po mësonin aty. Tash nuk po mësojnë, as nuk po shkojnë. Unë për shembull kur t’i mësoj, më duhet të shkoj në xhami që ta marrë para dhe të kthehem. A ky e bën bukën, këta lypin me hëngër e me pi. A t’i mësoj apo të shkoj në xhami, njërën”, u shpreh ajo.

Kryefamiljari Agim Uka tregoi për problemet e mëdha shëndetësore që ka. Krejt kohën e pandemisë, ai tha se kishte nevojë për vizita mjekësore, megjithatë si shkak i kushteve të rënda ekonomike nuk kishe pasur mundësi.

“Këmbët me i bo operacion më ka thonë…nuk kam mundur të shkoj hiç, në shtëpi kam qëndruar, nuk kam shkuar te mjeku hiç se kjo pandemia. Nuk kam pas mundësi të shkoj, nuk kam përdorë ilaçe… nuk kam qare pa i bo operacion, po fëmija e vogël a po e sheh”, tha ai.

Elmazja e Agimi të vetmen kërkesë e kanë që dikush t’iu ndihmojë për shtëpi, meqë jetesa në këtë vend çdo ditë e më shumë po vështirësohet./kp

Vullnetmirët që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje mund të lajmërohen në 044 126 988.