Rregulla të reja për Botërorin 2026, ndryshime të mëdha në menaxhimin e kohës

FIFA ka konfirmuar një sërë rregullash të reja që do të aplikohen në Kupën e Botës 2026, me qëllim rritjen e kohës efektive të lojës dhe reduktimin e vonesave të qëllimshme nga futbollistët.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me rivëniet anësore. Lojtarët do të kenë vetëm pesë sekonda për ta ekzekutuar rivënien në lojë, ndërsa vonesat e qëllimshme mund të bëjnë që topi t’i kalojë ekipit kundërshtar. I njëjti parim do të zbatohet edhe te goditjet nga porta, ku vonesat e qëllimshme mund të ndëshkohen me akordimin e një goditjeje këndi për kundërshtarin.
Ndryshime të rëndësishme janë paraparë edhe për zëvendësimet. Futbollistët që largohen nga fusha do të kenë vetëm 10 sekonda kohë për të dalë në pikën më të afërt. Nëse nuk e respektojnë këtë afat, lojtari zëvendësues nuk do të lejohet të hyjë në fushë për të paktën një minutë dhe skuadra do të detyrohet të luajë përkohësisht me 10 futbollistë.
Sipas rregullave të reja, lojtarët që marrin trajtim mjekësor nga fizioterapistët do të duhet të qëndrojnë jashtë fushës për 60 sekonda para se të rikthehen në lojë. Përjashtime do të ketë për portierët, dëmtimet më serioze dhe rastet kur kundërshtari ndëshkohet me karton të verdhë ose të kuq.
FIFA ka vendosur gjithashtu masa më të ashpra disiplinore për sjelljet konfrontuese. Lojtarët që mbulojnë gojën gjatë përballjeve ose debateve me kundërshtarët mund të ndëshkohen deri me karton të kuq.
Edhe sistemi VAR do të ketë kompetenca të zgjeruara. Tashmë do të mund të verifikohet nëse një goditje këndi është akorduar saktë, me kusht që kontrolli të kryhet shpejt dhe para rifillimit të lojës. Gjithashtu, kartoni i dytë i verdhë që çon në përjashtim nga loja mund të rishikohet pas dhënies së tij, megjithëse VAR nuk do të ndërhyjë për të rekomanduar kartonë të dytë të verdhë gjatë lojës.
Këto ndryshime pritet të debutojnë në skenën më të madhe të futbollit botëror gjatë Kupës së Botës 2026, e cila do të organizohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?