Rreth 400 mijë euro u dhanë për shërim jashtë Kosovës vetëm në janar
Në muajin janar, Bordi Ekzekutiv për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, ka aprovuar rreth 400 mijë euro për qytetarët që kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor jashtë Kosovës.
Këtë e kanë bërë të ditur për rtv21.tv nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Sipas tyre, rastet që kërkohet ndihmë financiare për shërim jashtë vendit, më të shpeshta janë ato të sëmundjeve malinje si leukemia, sëmundjeve të kardiokirurgjisë se fëmijëve, rastet ortopedike e të tjera.
Tutje, nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore kanë bërë të ditur se buxheti vjetor, i ndarë nga Qeveria e Kosovës për Programin për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike për vitin 2022 është 7 milionë e 270 mijë euro.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është institucion publik me interes të posaçëm, me autonomi ligjore të personit juridik, me të drejta, obligime, përgjegjësi dhe autorizime të veçanta, për zbatim të këtij ligji. Fondi autorizohet për përcaktimin e të drejtave dhe obligimeve të të siguruarve, lidhur me sigurimin shëndetësor të obligueshëm, si dhe përcaktimin e Listës së shërbimeve të kujdesit themelor shëndetësor.
Mbikëqyrjen e veprimtarisë së Fondit e bënë Qeveria e Kosovës dhe raporton para Kuvendit të Kosovës së paku një herë në vjet./21Media