Rreth dy mijë raste të dhunës në familje që nga janari, 90% e rasteve ndaj grave

Rreth dy mijë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë këtij viti, ku 90 për qind prej tyre janë ndaj grave dhe vajzave. Kështu u tha në hapjen e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Baza Gjinore me aktivitetin “Ato janë ne”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë ngjyrosur duart me ngjyrë portokalli dhe më pas kanë lënë shenjat në banerin e vendosur pranë sheshit të kryeqytetit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se ky aktivizëm kundër dhunës në familje duhet të jetë çdo ditë të vitit.

Sipas Osmanit, një ndër prioritetet është që të ketë institucione të drejtësisë më efikase në luftimin e dhunës mbi baza gjinore. Ajo u bëri thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të ngrisin zërin kundër dhunës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se në kuadër të kësaj fushate kanë paraparë mbi 80 aktivitete kudo në Kosovë.

Haxhiu u zotua se po angazhohen që të ofrojnë ndihmë juridike falas dhe në kuadër të kësaj fushate

Ministrja e Drejtësisë shtoi se gjatë këtyre ditëve do të lansohet programi i parë për trajtimin e dhunuesve.

Në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci theksoi se kanë filluar aktivitetet vetëdijësuese në të gjitha shkollat e Kosovës.

Tutje, Nagavci tha se kanë lansuar edhe fushatën për kujdesin shëndetësor.

Back to top button