Rreth rrotullimi në Janjevë pritet të përfundojë pas dy jave

 

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti sot inspektuan punimet që janë duke u bërë në ish udhëkryqin e Janjevës, konkretisht në rrugën nacionale Prishtinë-Ferizaj, për të cilin u tha se do të përfundojë së shpejti.

Me këtë rast, ministri Abrashi u shpreh se edhe pse ky projekt ishte bërë që moti, tani është në fazën e përfundimit.

“Sot pak a shumë janë fillimi i përfundimeve të punimeve në një udhëkryq shumë të rëndësishëm jo vetëm për Lipjanin dhe rrugën nacionale, por për tërë Kosovën. Fatkeqësisht ky udhëkryq ka qenë një pikë e zezë në të gjitha raportet, qoftë ministrisë tonë, qoftë policisë, një udhëkryq që ka marrë shumë jetë njerëzish për shkak të mungesës së kushteve dhe pas një projekti që është stërzgjatë fatkeqësisht, sot po fillon të merr formën përfundimtare, ndërtimi i rrethit i cili ka me lehtësu qarkullimin e automjeteve në këtë rrugë nacionale dhe gjithsesi edhe me Lipjanin. Prandaj sot po shohim shtresat fillestare dhe pas dy jave vendoset edhe shtresa e fundit dhe sinjalizimi në mënyrë që ky udhëkryq dhe ky rreth-rrotullim të merr formën përfundimtare që ndihmon edhe lehtësimin e trafikut dhe parandalon aksidentet e tmerrshme që kanë ndodhë në këtë pikë”, tha Abrashi.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti u shpreh se ky projekt është një ndër më të mirëpriturit nga banorët e Lipjanit.

“Është një ndër pikat më të rrezikshme në nivel vendi ky udhëkryq, ka marrë shumë jeta njerzish. Është një ndër projektet më të mirëpritura nga banorët e Lipjanit sepse e mundëson një frekuentim më të lirë, qarkullim me të sigurt të automjeteve që frekuentojnë këtë pjesë të rajonit të Lipjanit”, shtoi Ahmeti.

Ky projekt ka kushtuar rreth 400 mijë euro.

Back to top button