RrGK: Partitë e koalicionit nuk e respektuan Ligjin për Barazi Gjinore

RrGK uron formimin e Qeverisë

Rrjeti i Grave të Kosovës ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për krijimin e qeverisë, duke shpresuar se bashkëqeverisja e tyre do të sjell mirëqenie të shtuar për qytetarët e vendit.

RrGK-ja poashtu uroi edhe Vjosa Osmanin, kryetaren e re të Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo Rrjeti shprehu shqetësimin se partitë që formuan qeverinë nuk kanë respektuar Ligjin për Barazi Gjinore.

Duke ndjekur me interes të shtuar përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e grave në zgjedhjet parlamentare të parakohshme të 6 tetorit 2019, e rrjedhimisht edhe në qeverinë e re, RrGK përmes kësaj letre shpreh shqetësim që dy partitë e koalicionit nuk kanë respektuar Ligjin për Barazi Gjinore (LBGj), me rastin e emërimit të kabinetit të ekzekutivit. Ky ligj garanton barazi ndërmjet gjinive (50/50), si kusht i zhvillimit të një shoqërie demokratike ku burrat dhe gratë kanë mundësi krejtësisht të barabarta në sferën politike dhe publike”, thuhet në komunikatën e Rrjetit.

Tutje RrGK-ja thotë se “sado që kjo qeveri ka me shumë gra ministre në krahasim me qeveritë e kaluara, presim që në emërimin e zv. Ministrave të arrijnë të zbatojnë LBGj-në”.

Ndër çështjet e rëndësishme që RrGK pret që koalicioni LVV-LDK të angazhohet në fillim të qeverisjes së tyre janë të balancojë pjesëmarrjen e grave dhe të burrave në vendimmarrje, të rishikojë Ligjin e Punës sipas direktivave të Bashkimit Evropian (BE) për balancin punë-jetë, të rishikojë Ligjin e Punës dhe përveç pushimit të lehonisë dhe atij prindëror, të futet edhe pushimi atësor, në pajtim me direktivat e BE-së të adaptuara në Kosovë, të përmirësojë kushtet e punës, me theks të veçantë të luftojë diskriminimin me bazë gjinore në punësim, të zbatojë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor sipas LBGj-së, dhe të krijojë një linjë buxhetore të përhershme për strehimoret e Kosovës./21Media

Back to top button