Rritet deficiti tregtar për muajin shtator

42.6% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre

Kosova ka shënuar deficit tregtar më të lartë për 20.2% në muajin shtator 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, përkatësisht në vlerë prej 257.3 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 213.9 milionë në vitin 2017, derisa eksporti mbulon importin me 12.5 për qind.

Eksporti i mallrave në shtator 2018, sipas raportit më të ri të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kishte vlerën 36.6 milionë euro, ndërsa importi 293.9 milionë, që shënon rritje 7.6% për eksport, dhe rritje 18.5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 42.6% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.3% plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 9.5% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9.4% produktet minerale, 9% produktet bimore etj.

Grupet kryesore për import, 16% përbëhen nga produktet minerale, 13 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.1% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.9% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 7.8% mjetet e transportit etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 10.2 milionë euro, ose rreth 28% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 14.1%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania 7.6%, Holanda 3.4%, Sllovenia 2.2% dhe Danimarka me 2.1%.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 124 milionë euro, ose 42.2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 19.6%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania 10.1%, Italia 5.9%, Spanja 3.7%, Greqia 3.4%, Sllovenia 2.9 etj.

Në shtator 2018, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 15 milionë euro, ose 41.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej -9.8%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Shqipëria me 17%, Maqedonia 11.2%, Serbia 6.9% dhe Mali i Zi me 3.6%.

Importet nga vendet e CEFTA-s në shtator 2018, arritën në 82.2 milionë euro, ose 28% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.2%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia 12.8%, Shqipëria 6.7%, Maqedonia 5.4% dhe B&H 2.6%.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 11.3 milionë euro, ose 30.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport, vlen të përmenden India 21.2% dhe Zvicra me 5.8%.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 87.6 milionë euro ose 29.8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 9.5% dhe Kina 9.5%.

Back to top button