Rritet me 30% çmimi i arit, shqiptarët po e shohin si mundësi investimi

Në një klimë globale të dominuar nga tensionet gjeopolitike dhe pasiguria ekonomike, njerëzit po kthehen tek ari si strehë e sigurt investimi. Sipas të dhënave në tregjet globale çmimi i një gram ari luhatet rreth 160 dollarë, duke u rritur me rreth 40% krahasuar me një vit më parë. Një shpërthim që është pasqyruar edhe në argjendaritë e vendit.
“Rritja e vlerës së arit në tregjet globale është reflektuar edhe në vendin tonë, duke pësuar një rritje të konsiderueshme. Krahasuar me dy vite më parë, rritja ka luhatur në nivelin 20–30%”, shprehet Edison Kernaja, pronar argjendarie.
Përveçse aksesor, shqiptarët po e shohin floririn edhe si investim të sigurt.
“Kohët e fundit floriri është kthyer tashmë në një investim të sigurt. Njerëzit po preferojnë të blejnë dhe ta investojnë në të.”
Për një pjesë të konsumatorëve, që tashmë e shohin arin si të papërballueshëm, interesi është zhvendosur drejt metaleve të tjera me vlerë më të ulët.
“Rritja e vlerës së arit ka bërë që disa individë të largohen dhe të shkojnë drejt metaleve me më pak vlerë, siç është argjendi, edhe pse edhe ai ka njohur rritje të konsiderueshme.”
Ndërkohë, nuk mungojnë as turistët e huaj, të cilët përveç pushimeve zgjedhin të blejnë edhe aksesorë floriri.
“Kemi pasur turistë nga vende të ndryshme të botës që kanë bërë zgjedhjet e tyre, duke investuar në flori ose argjend.”
Paralelisht me arin, edhe metale të tjera si argjendi dhe platini kanë njohur rritje të vlerës në tregjet ndërkombëtare. /vizionplus.tv