Rritet niveli i manganit në Badoc, IKSHP rekomandon që uji nga ky liqen të mos përdoret për pije

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se ditën e djeshme ekipet e tyre kanë marrë 16 mostra nga një zonë që furunizohet me ujë nga Liqeni i Badocit, pas njoftimit për ngritje të vlerave të manganit, ku prej tyre 15 kanë rezultuar me tejkalim të standardit të lejuar manganit.

Nga IKSHP kanë rekomanduar që për këtë periudhë uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret vetëm për higjienë personale dhe ambientale.

Bazuar në këto rezultate, IKSHP ka dalë me disa rekomandime për Ujësjellësin “Prishtina”:

Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e Cl rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L, e cila garanton cilësinë e ujit në aspektin bakteriologjik dhe në të njëjtën kohë ndihmon në proceset oksido-reduktive;

Të përcjellet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndares;

Zbatimi i procedurave standarde për situatën e krijuar në të gjitha fazat e trajtimit të ujit;

Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – gypave magjistral;

Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – segmenteve të vogla;

Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.

“IKSHPK njofton se deri me datën 02.10.2024 në rezultatet e mostrave të marra sipas planit të Monitorimit për ujin e pijshëm, nuk ka pasur mostra që kanë rezultuar me vlera të shtuara të manganit mbi standardin e paraparë (0.05 mg/L) sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu””, thuhet në fund të njoftimit.

Back to top button