Rritet numri i lindjeve të parakohshme në Kosovë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se është rritur numri i foshnjave që kanë lindur para kohe dhe që kanë pasur nevojë për trajtim pas lindjes në Klinikën e Neonatologjisë.
Sipas njoftimit, nga 1 janari deri më tani, sipas njoftimit, në këtë klinikë janë trajtuar 430 foshnje, numër në rritje krahasuar me vitet e tjera.
“Këto foshnja janë trajtuar për Asfiksioni Perinatal,( mungesë e oksigjenit para dhe pas lindjes), prematuritet( lindje para kohe), me komplikime, anomali të ndryshme kirurgjik, neonatale, anomali neurokirurgjike, e që trajtohen para dhe pas operimit të tyre, dhe infeksionet e ndryshme. Stafi i klinikës, me sukses po trajton edhe rastet e prematurëve (foshnjet e lindura para javës së 36, të shtatëzanisë ) deri tek prematurët me peshë ekstreme të lindjes, 500-999 gramë. Raste të tilla janë të predispozuar ndaj shumë komplikimeve për shkak të papjekurisë së gjithë sistemeve”, thuhet në njoftim.
Trajtimi po bëhet sipas protokolleve bashkëkohore, “duke filluar qe nga dhënia e kortikoideve nga ana e gjinekologë-obstetërve, deri te mbështetja respiratorë jo-invazive dhe invazive”.
Foshnjat e lindura para kohe, prej javës 28 deri 33, që kanë manifestuar kriza të apnesë, kanë qenë 175.
Ndërsa, foshnje të lindura prej javës 34 deri ne 36 kanë qenë 255, ku 50 prej tyre janë trajtuar me caffeine citrate ose ampula aminophylinë, sipas SHSKUK-së.
Tutje, SHSKUK-ja ka thënë se ka siguruar të dy ampulat, “por për shkak të shpenzimit përtej planifikimit, caffeine citrate ka munguar disa ditë e që është zëvëndësuar si alternativë me ampulën aminophylinë”./21Media