“Rritja e ngadalësuar e remitencave, shkak liberalizimi”

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se sipas parashikimeve të tyre vendi këtë vit pritet të shënojë një rritje ekonomike prej, 3.9 për qind e mbështetur nga rritja e të ardhurave reale të disponueshme, falë uljes së inflacionit dhe rritjes së burimeve të financimit. Në anën tjetër raporti flet edhe për një ngadalësim të rritjes së remitencave në Kosovë gjë e cila sipas njohësve të fushës së ekonomisë ndikon negativisht në zhvillim të vendit. Sipas tyre institucionet e vendit duhet të marrin masa urgjente në mënyrë që trendi negativ në shumë sektor kyq për ekonominë të ketë përmirësim.

Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mundësia për të udhëtuar për në vendet perëndimore duket se ka ndikuar në rritje të ngadalësuar të remitencave. Në një raport të bankës qendrore të Kosovës, vlera e remitencave në tre mujorin e parë 2024 ka arritur në 281 milionë, duke shënuar një rritje të ngadalësuar në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit 2023.

“Vlera e remitencave të pranuara në tre mujorin e parë 2024 ka arritur në 281milionë euro, duke shënuar rritje prej 3.6 për qind krahasuar me tre mujorin e parë 2023. Rritja e ngadalësuar e remitencave në tre mujorin e parë pas liberalizimit të vizave më vendet e BE-së , mund të jetë ndikuar nga rritja e vizitave të kosovarëve në diasporë, të cilët ofrojnë mbështetje financiare për familjaret e tyre për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit”.

Por përveç rritjes së ngadalësuar të remitencave, liberalizimi i vizave ka ndikuar që këtë vit të ketë më pak diasporë në Kosovë, thotë kryetari i odës Ekonomike Lulzim Rafuna. Kjo sipas tij ka ndikuar edhe në ulje të konsumit.

“Këtë vit në bazë të raporteve që kemi ka pas më pak bashkatdhetar dhe kjo normale që ndikon negativisht sepse ka më pak konsum dhe kjo është vërejtur në disa sektor kyç për ekonominë e vendit…”, tha Rafuna.

Banka Qendrore e Kosovës tha se këtë vit pret rritje ekonomike prej 3.9% në këtë rrafsh profesori i ekonomisë Muhamet Mustafa, thotë se trendi negativ nëpër shumë sektor kyç të ekonomisë nuk do te sjellin rritjen e nevojshme që i duhet vendit.

“Përkrah rritjes së ngadalësuar të remitencave kemi rritje të ngadalësuar të eksportit kjo normalisht se do të ndikoj edhe në zhvillimin ekonomik dhe pritet që edhe këtë vit Kosova ta mbyllë njëjtë pa atë rritjen e duhur që duhet ta ketë”, tha Mustafa për rtv21.

Ditë më parë kryeministri Kurti në një postim të tij tha se Kosova është e pesta në botë sa i përket tërheqjes së investitorëve të huaj. Por, ndryshe flasin njohës të fushës së ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve.

“Kemi probleme të shumta politike të cilat normalisht ndikojnë negativisht tek investitorët e huaj, pra tensionet në veri, lufta mos ndryshimi i politikave fiskale bëjnë që të kemi trend negativ”, tha Rafuna.

Në anën tjetër profesori i ekonomisë Muhamet Mustafa, pa dashur të komentoj raportin e publikuar nga kryeministri Kurti, thotë vendi ka trend negativ edhe në këtë aspekt.

“Edhe këtu kemi trend negativ, rritja më e madhe është në patundshmëri 40 milionë euro, pra nuk kemi investime në sektorët të cilët ndikojnë në zhivillim”, tha Mustafa.

RTV21, që nga ka më shumë se 7 ditë që ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në lidhje me investimet e huaja. E njëjta nuk është përgjigjur./RTV21/21Media

Back to top button