Rrugët e Prishtinës me gropa, dëme dhe shpenzime për ngasësit

Ahmeti thotë se kanë probleme me operatorët privatë

Rrugët e Prishtinës përplot gropa nuk po sanohen asnjëherë në tërësi. Përveç aksidenteve ato po u shkaktojnë ngasësve dëme edhe në vetura. Vet ngasësit tregojnë se po kanë shpenzime të mëdha dhe ata që bëjnë kontrolle teknike e pranojnë këtë fakt, ndërkohë Komuna e Prishtinës thotë se kanë probleme me operatorët privatë për rregullimin e gropave.

Qytetari Arben Hoxha thotë se gropat e shumta po u shkaktojnë mjaftë telashe si ngasës, madje sipas tij, si pasojë e gropave nëpër rrugë po shkaktohen edhe aksidente.

Hoxha thotë se shpesh detyrohet ta dërgojë automjetin e tij në kontrollim teknik, kontrolle këto të cilat edhe po i kushtojnë.

“Jo vetëm që po shkaktojnë dëme nëpër vetura, por po e rrezikon edhe komunikacionin sepse duke u munduar me u largua nga gropa , ka mundësi me e goditë dikë ose dikush tjetër me të goditur, shpesh po ndodhin këto aksidente për shkak të gropave…Vonë e kam pasur në reglazh për shkak se ka lëvizur goma për shkak të gropës….Janë të kushtueshme, një kontroll teknike nuk është aq e kushtueshme por me defekte pastaj po bëhen mjaftë shumë“, thotë ky qytetar.

Edhe Arbër Bucolli punëtor i një taksie në kryeqytet ankohet se për shkak të gropave po i duhet që shpesh të shpenzojnë për kontrollime teknike të automjetit.

“Telashe sa të duash sepse një mend janë rrugët e këqija…Shumë lehtë mund të bësh aksident shkaku i këtyre gropave…Ka prishje edhe të automjetit në muajt mund të themi se ka prishje”, thotë Bucolli.

Për Adnan Halitin gropat nëpër rrugët e Prishtinës krahas dëmeve nëpër automjete po shkaktojnë edhe kolona të shumta.

“Po na shkaktojnë kolona na mbytën, po si nuk e dëmton çdo gjë e dëmton…Kontroll teknike një herë në vit por tek mjeshtri çdo një muaj e gjysmë më së shumti tre muaj, kolona shumë gropa shumë, edhe kështu ashtu gjithkund ia kanë nisur me i pre” , shprehet Haliti.

Kp ka kontaktuar edhe inspektues të kontrollit teknik për të parë se cilat janë defektet që gropat nëpër rrugë mund tu shkaktojnë automjeteve.

E lidhur me këtë çështje Fadil Xheladini, inspektues në Qendrën e Kontrollit teknik “Reforma”, thotë se rënia nëpër gropa automjetit mund t’ia ulë nivelin e sigurisë, madje ai thotë se defektet e shkaktuara mund të vërehen lehtësisht edhe nga vetë ngasësit.

Teksa i tregon disa nga dëmet që mund t’ia shkaktohen automjetit nga vozitja nëpër gropa, Xheladini thotë se në kompaninë e tyre janë të shpeshta rastet ku ngasësit e automjeteve i sjell automjetet për kontrollime teknike për shkak të dëmeve që janë shkaktuar nga gropat nëpër rrugë.

“Ndikon në sistemin e sigurisë së automjetit, në aksin e parë, në aksin e dytë, në suspenzion apo në sistemin e sustave, amortizimit ku mund ta dëmtoi rëndë edhe sistemin e amortizimit, formon jo siguri në vozitje gjatë vozitjes ku mund të rrezikohet edhe jeta e personave që vozisin aty. Është me rëndësi se si të ndodhin këto aksidente është mirë ta udhëzoj mjetin në servis apo në kontroll teknike”, thotë ai.

Gropat nëpër rrugët e Prishtinës i arsyeton i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, i cili thotë se si komunë po kanë telashe me punën që po e kryejnë operatorët privatë.

Ai madje ka në plan që duke filluar nga viti i ardhshëm për infrastrukturën e kryeqytetit të përkujdesen kompanitë publike.

“Problemet më të mëdha që i kemi pasur në vite, jo vetëm gjatë mandateve të mija por edhe në të kaluarën kanë kompanitë dhe të cilat ofertojnë me shumë çmime të ulëta, mandej nuk mund ta kryejnë punën si duhet, nëse ka ankesa për cilësinë. Rastin e fundit kemi kërkuar me shkëput kontratën me operatorin e fundit sepse thjesht nuk ka bërë dhe as nuk ka ditur me i bë mbulimet e gropave ashtu siç parashihet, apo si duhet të jetë niveli i cilësisë. Tash jemi duke bërë dy gjëra momentalisht i kemi zgjedhur dy kompani të ndryshme në dy llote…Për vitin tjetër kemi komplet një plan tjetër dëshirojmë që kapacitetet për gropa t’i zhvillojmë brenda komunës me kompanitë tona publike që mos të varemi nga kompanitë private”, theksoi Ahmeti./kp

Back to top button