Bashkëpunimi me LVV? Rrusta e PSD-së: Në asnjë mënyrë, për asnjë çmim

(Lajm i përditësuar)
Bashkëpunimi me LVV? Rrusta e PSD-së: Në asnjë mënyrë, për asnjë çmim
Kandidatja për deputete nga PSD-ja, Teutë Rrusta në ”Click” të RTV2 ka deklaruar se partia e saj nuk do të mbështesë në asnjë formë Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se qëllimi i PSD-së është të rrisë ndikimin politik dhe të synojë qeverisjen në të ardhmen.
Rrusta tha se PSD-ja ka një rrugëtim më të gjatë politik dhe se pjesëmarrja e saj në skenën politike nuk është e rastësishme apo e momentit.
“Nuk i bëjmë numrat LVV-së në asnjë mënyrë për asnjë çmim”, deklaroi Rrusta.
Ajo shtoi se partia e saj aktualisht synon fuqizimin politik dhe më vonë marrjen e përgjegjësisë qeverisëse.
“Pjesëmarrja jonë në politikë ka filluar moti dhe s’ka qenë rrugë e shkurtër. Tani e synojmë opozitën dhe në të ardhmen synojmë të qeverisim për ta rikthyer dinjitetin te njerëzit. Nuk guxojmë me leju që politikës me iu largu dinjiteti dhe e vërteta”, tha Rrusta.
Rrusta: Partitë po shmangin përballjen me PSD-në
Kandidatja për deputete nga PSD-ja, Teutë Rrusta në ”Click” të RTV21 ka kritikuar mënyrën e pjesëmarrjes së partive politike në debate publike dhe përballje mediatike gjatë fushatës zgjedhore.
Në emisionin “Click” në RTV21, Rrusta tha se partitë opozitare PDK dhe LDK kanë hezitim të madh për të marrë pjesë në debate, ndërsa edhe partia në pushtet, sipas saj, paraqitet rrallë në përballje direkte.
“Kane hezituar me dal në debate komentet e VV-së, PDK dhe LDK kanë hezituar tepër shumë me dal. Partia në pushtet del rrallë në debate me neve, sepse nuk është mirë moralisht”, deklaroi Rrusta.
Ajo shtoi se mungesa e përballjeve të rregullta politike në studio televizive ndikon në transparencën dhe cilësinë e debatit publik në vend.
“Opozita në garë kush bëhet ministër te Kurti”, Rrusta
Kandidatja për deputete nga PSD-ja, Teutë Rrusta në ”Click” të RTV21 ka kritikuar ashpër mënyrën e organizimit të tubimeve zgjedhore nga partitë opozitare, duke i akuzuar për imitimin e praktikave të pushtetit dhe për përdorim të fëmijëve në aktivitete politike.
Rrusta përmendi pjesëmarrjen e fëmijëve në tubime politike, duke e cilësuar këtë praktikë si të papranueshme dhe të dëmshme.
“Opozita po e imiton Kurtin, po i marrin fëmijët në skenë. Vjosa Osmani e Lumir Abdixhiku në tubimet e veta… Opozita që e imiton pushtetin le të shkojë te pushteti. Këta janë në garë se kush është më i mirë për ministri të Kurtit. Keqpërdorimi i fëmijëve është i papranueshëm dhe i patolerueshëm”, deklaroi Rrusta.
Ajo shtoi se fushatat zgjedhore duhet të fokusohen në programe politike dhe jo në, siç tha ajo, shfaqje simbolike që përfshijnë kategori të ndjeshme si fëmijët.
Rrusta: Edhe me lind prej fillimit s’mundemi me i ndihmu Kurtit
Kandidatja për deputete nga PSD-ja, Teutë Rrusta në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se partia e saj nuk mund të bashkëpunojë me pushtetin aktual të udhëhequr nga Albin Kurti, duke e cilësuar atë si antidemokratik.
Rrusta tha se PSD-ja që nga fillimi ka mbajtur qëndrim kritik ndaj të gjitha partive në pushtet dhe opozitë, por sipas saj, veprimet e partive opozitare kanë ndikuar negativisht edhe ndaj PSD-së.
“Ne edhe me lind prej fillimit nuk mundemi me i ndihmu pushtetit të Kurtit, që e konsiderojmë antidemokratik. Më shumë se kaq, partitë opozitare i kanë shkaktuar dëm PSD-së”, deklaroi Rrusta.
Ajo theksoi se PSD-ja do të vazhdojë të mbajë qëndrim kritik ndaj të gjitha strukturave politike, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe transparencë në qeverisje dhe opozitë.
Rrusta kritikon: Kryetari i PDK-së dhe LDK-së pa vija të kuqe për LVV
Kandidatja për deputete nga PSD-ja, Teutë Rrusta, ka komentuar deklaratat e partive opozitare lidhur me bashkëpunimet e mundshme politike dhe mungesën e “vijave të kuqe” në skenën politike.
Në emisionin “Click” në RTV21, Rrusta tha se qëndrime të tilla janë të zakonshme në demokraci më të konsoliduara, por sipas saj, nuk i përshtaten realitetit politik në Kosovë.
“Edhe kryetari i PDK-së edhe i LDK-së kanë thënë që nuk kanë vija të kuqe. Ne nuk jemi për parti që nuk duan bashkëpunim. Kjo ka kuptim në vendet ku politika ka një nivel të lartë të demokracisë, por te ne jo”, deklaroi Rrusta.
Ajo theksoi se mënyra se si bëhen koalicionet dhe bashkëpunimet politike duhet të jetë më e kujdesshme, duke marrë parasysh, siç tha ajo, zhvillimin institucional dhe kulturën politike në vend.
Rrusta shtoi se stabiliteti politik dhe ndërtimi i institucioneve të forta kërkon qasje më të përgjegjshme nga subjektet politike.
“Opozita në paradhomë për t’iu bashkuar pushtetit”, Teutë Rrusta
Kandidatja për deputete nga PSD-ja, Teutë Rrusta në ”Click” të RTV21 ka kritikuar mënyrën se si po funksionon opozita në Kosovë, duke thënë se ajo nuk po vepron si alternativë reale ndaj pushtetit aktual.
Rrusta tha se opozita aktuale është më shumë e orientuar drejt bashkëpunimit me pushtetin sesa drejt kundërshtimit të tij.
“Kemi ardhur në pozicionin që opozita e tanishme është në paradhomë për me iu bashku pushtetit, e jo për ta kundërshtuar atë”, deklaroi Rrusta.
Ajo shtoi se një opozitë funksionale duhet të ofrojë kontroll dhe alternativë të qartë politike, duke mos u kufizuar vetëm në kalkulime për pjesëmarrje në qeverisje.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?