Rrustem Tetaj përfundon dëshminë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

(Lajm i përditësuar)

Ka përfunduar dëshminë dëshmitari Rrustem Tetaj në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Por i njëjti në fund të seancës kërkoi që të shtoi diçka por kjo nuk iu lejua nga trupi gjykues me arsyetimin se tashmë dëshmia e tij ka përfunduar.

Gjatë fundit të dëshmisë së tij, pyetje shtesë për dëshmitarin pati mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq, ajo e Veselit përmes avokates Annie O’Reilly dhe mbrojtja e Krasniqit përmes avokatit Aiden Ellis.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes se Thaçit,  dëshmitari tha se disa dokumente që iu prezantuan sipas pikëpamjes se tij janë shkruar më vonë duke iu vendosur data e mëhershme.

Dëshmitari u mor në pyetje edhe nga gjyqtari Fergal Gaynor për t’u sqaruar disa çështje për të cilat dëshmitari ka dhënë dëshmi gjatë këtyre dy ditëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Pasi që ZPS-ja nuk ka paraparë ndonjë dëshmitarë tjetër për këtë javë, gjykimi në këtë rast pritet të rinisë 16 shtatorë kështu duke u anuluar seanca e paraparë për ditën e nesërme.


“Shumë shpejt do ta kryej me ty”, Tetaj thotë se kjo frazë i ka shpëtuar Thaçit nga nervoza

Dëshmitari Rrustem Tetaj deklaroi në Hagë se frazën e Hashim Thaçit “shumë shpejt do ta kryej me ty”, që pretendon se e kishte dëgjuar në takimin me Tahir Zemajn, e kupton si të momentit.

Sipas tij, nuk ka qenë e lehtë në atë kohë që të thuhet ajo fjalë dhe se i ka shpëtuar Thaçit në nervozë.

“Unë e kuptoj që ka qenë efekt. Njeri në moment në atë kohë se është kanë bukur vështirë me i thanë ato fjalë kur të gjithë ishim të armatosur. Edhe Tahiri ka qenë i armatosur, edhe Hashimi, edhe e kishim një ushtri aty. Kështu që nëse e lyp mendimin tim, ma merr mendja që çdo gjë i ka pshtu në nervozë me atë”, tha Tetaj.

Ai tha se nuk është i sigurt se kujt i kishte drejtuar Thaçi me këtë shprehje, Tahir Zemajt apo Ahmet Krasniqit.

Ndryshe, dëshmitari Tetaj tha se më vonë ka dëgjuar që Thaçi e kishte pseudonimin ‘Gjarpri’.

Po ashtu, mohoi të ketë patur dijeni se çfarë posti kishte Rexhep Selimi gjatë luftës, e që pastaj në bazë të informimeve e di që ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

Me kaq përfunduan pyetjet e gjyqtarit Barthe për të vazhduar me pyetjet e tij gjyqtari Guénaël Mettraux.


Tetaj thotë se kishte dëgjuar për persona të rrëmbyer e të dërguar në Jabllanicë, por që vetë s’ka parë gjëra të tilla

(Përditësuar, ora 11:26)- Dëshmitari Rrustem Tetaj ka thënë në Hagë se kishte dëgjuar për persona të rrëmbyer që më pas dërgoheshin në Jabllanicë, por që ai tha se nuk i ka parë vetë me sytë e tij.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një deklaratë e mëhershme që ai e kishte dhënë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ku kishte folur për një takim në Jabllanicë me përfaqësuesit e tri fshatrave: Faton Mehmetaj, Lahi Brahimaj dhe Pjetër Shalën

Sipas gjyqtarit Christoph Barthe, dëshmitari për ZPS-në kishte thënë se ka dëgjuar fjalë nga ai takim se ishin rrëmbyer persona dhe ishin dërguar në Jabllanicë, e që aty kishte pasur edhe një shtab lokal të UÇK-së.

“Secili fshat e ka pas shtabin e tij lokal. E dyta, të gjitha qito që ndaloheshin e qito kam dëgju vetëm prej jashti. Kam dëgju dhe jo pa me sy”, tha dëshmitari.

Dëshmitari gjithashtu u pyet se kur dhe ku ka dëgjuar për persona që rrëmbeheshin, e që më pas dërgoheshin në Jabllanicë.

“Në takimin që është mbajtë me këta persona në fshatin Pozharë, prej atij momenti. Nuk e di datën, por në fillimin e luftës”, tha Tetaj.

I pyetur se nga kush kishte dëgjuar për shtabin lokal në këtë vend, dëshmitari tha se në takim ishte prezent Lahi Brahimaj dhe që kishin marrë vendimin që secili fshat t’i ketë strukturat e veta të shtabeve lokale.

Ai u përgjigj me ‘nuk e di’, kur u pyet nëse këto rrëmbime bëheshin nga anëtarët e UÇK-së.

“Këtë nuk e di, sepse UÇK-ja ishte akoma në zhvillim e sipër”, tha Tetaj.


Dëshmitari thotë se për Shtabin e UÇK-së kishte dëgjuar në takimin me Thaçin në Zhebel

(Përditësuar, ora 11:21)- Dëshmitari Rrustem Tetaj tha se për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kishte dëgjuar në takimin me Hashim Thaçin në Zhebel.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe, ai tha se datën e këtij takimi nuk e mban mend, por me sa di ky takim ishte mbajtur në gusht të 1998-ës

“Në takimin e Zhebelit. Me datë nuk e di u harru, disa herë u përsëritë por në takimin në fshatin Zhebel kur ka ardhë Hashim Thaçi me na i tregu detyrat e reja. Gushti më duket, në gusht sa e di unë. Me dijeni në gusht e jo në shtator. Ka qenë në fillim gushtit- mes gushtit, aty diku”, tha Tetaj.

Dëshmitari një ditë më parë ka thënë që nuk beson se ka ekzistuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe në rast që ka ekzistuar ai ka qenë fiktiv dhe nuk ka besuar në atë. Andaj, atij iu kërkua nga trupi gjykues ta shpjegojë këtë deklaratë.

“Unë e kam pas fjalën për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së se unë i besoj vetëm shtetit të Kosovës, Qeverisë dhe institucioneve të asaj kohe, po foli për periudhën e luftës. Në Shtabin e Përgjithshëm janë ndërru disa emra për një vit. Unë nuk mundem me ditë sa njeri ish kanë në Shtabin e Përgjithshëm të UÇk-së. Shumë emra janë laku. Nuk po foli vetëm për këta që janë këtu, por në përgjithësi”, tha dëshmitari.


Dëshmitari: Ardhja e Shtabit të Përgjithshëm na ka shkaktuar dëme morale

(Përditësuar, ora 10:52)- Dëshmitari Rrustem Tetaj tha të mërkurën në Hagë se ardhja e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), iu kishte shkaktuar dëme atyre si në furnizim, po ashtu edhe morale.

“Ardhja e Shtabit të Përgjithshëm na ka shkaktu dame si në furnizim, si në moral e në të gjitha”, tha dëshmitari Tetaj.

Ai tha se para ardhjes së Shtabit, ka marrë pjesë individualisht në pesë beteja në pjesën e Rrafshit të Dukagjinit.

Dëshmitari gjithashtu u pyet se a ishte në dijeni se ka një aktgjykim ndaj Idriz Gashit i njohur si ‘Galani’ për vrasjen e Sanije Balajt.

“Jam në dijeni se është mbajtur një gjyq, por të njëjtin person nuk e kam njohur”, u shpreh Tetaj.

Ai tha se Sanije Balaj ishte një vajzë nga Strellci dhe me kaq përfunduan pyetjet e avokates së Veselit, Annie O’Reilly, për këtë dëshmitar.

Po ashtu, mbrojtja e Rexhep Selimit përmes avokatit Geoffrey Roberts tha se nuk ka pyetje për dëshmitarin dhe se pyetjet i vazhdoi avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis.

Dëshmitari mohoi se e kishte dëgjuar Faton Mehmetin duke folur ndonjëherë me Jakup Krasniqin.

Kur përfunduan pyetjet e Ellis, pyetje shtesë nuk pati nga përfaqësuesit e ZPS-së. Më pas, seanca kaloi në pushim për dhjetë minuta për t’u kthyer me pyetjet e trupit gjykues për dëshmitarin.


Tetaj: Për Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin vetëm mund të spekuloj, s’i kam parë kurrë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po e vazhdon dëshminë dëshmitari Rrustem Tetaj në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Tetaj tha se nëse flet për Veselin dhe Krasniqin vetëm mund të bëjë spekulime, ngase ata dy nuk i ka parë kurrë gjatë luftës.

Këto deklarime, Tetaj, i cili është dëshmitari i84-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i bëri duke u përgjigjur në pyetjet e avokates së Veselit, Annie O’Reilly.

“Unë Kadri Veselin jashta në televizor edhe sot që po e shoh qitu se kurrë nuk e kam pa edhe masi nuk e kam pa dhe nuk ka qenë në zonën e luftës, ju lutem unë nuk di se çka ka me thanë për ta. Këta e kam deklaru edhe para Prokurorisë. Vetëm për Hashim Thaçin që jam taku me të dhe Rexhep Selimin në Jabllanicë e ato që i kam fol përpara, unë për Jakupin dhe Kadri Veselin vetëm se çka spekuloj se nuk kam ni”, tha dëshmitari.

Në fillim të seancës, i përfundoi kundërpyetjet e tij avokati i Thaçit, Luka Mishetiq i cili u fokusua sërish tek takimi i Tahir Zemajt me Thaçin, Bislim Zyrapin e persona të tjerë, ku ua ishte kumtuar emërimi i Ramush Haradinajt në pozitën e komandantit të zonës.

Ndryshe, sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, të pranishëm në sallën e gjyqit janë të gjithë të akuzuarit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Back to top button