RTV21 pjesë e Forumit Diplomatik të Antalias

Kryeredaktori i RTV21, Arbër Vllahiu, me ftesë të ministrisë së Jashtme të Turqisë, po merr pjesë në punimet e Forumit Diplomatik të Antalias (ADF).

ADF 2025 mbahet nën patronazhin e Recep Tayyip Erdogan, President i Republikës së Turqisë dhe nën organizmin e Hakan Fidan, Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë. Në ditën e parë të punimeve të Forumit, presidenti Erdogan dhe ministri Fidan mbajtën fjalën e tyre hyrëse.

Tema bosht e edicionit të sivjetmë të forumit është “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”.

Në ADF 2025 po marrin pjesë rreth 6000 personalitete nga 150 vende të botës, duke ofruar një platformë dinamike dhe gjithëpërfshirëse që bashkon liderë globalë, përfshirë kryetarë dhe kryeministra, ministra, diplomatë, liderë opinionesh, ekspertë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, akademikë, profesionistë të biznesit dhe mediave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur një paraqitje të veçantë në një sesion të Forumit, ndërsa pjesëmarrës të tjerë nga Kosova janë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.

Punimet e ADF, i cili është një ndër takimet më të mëdha botërore në fushën e politikës dhe diplomacisë, mbahen nga 10-13 prill.

Back to top button